Ndërlidhjet

logo-print

Marko Prelec: Një vizitë në veri


Barrikadë në veri të Mitrovicës...

Barrikadë në veri të Mitrovicës...

Shkruan: Marko Prelec

Të enjten, unë me disa kolegë të mi të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, shkuam me veturë në pjesën veriore të Kosovë të banuar kryesisht me serbë për të kaluar shkurt për në Serbi.

Thënë më troç, çdo gjë ka ndryshuar, edhe pse askush nuk kishte paralajmëruar ndonjë ndryshim. Dimri më i keq që mbaj mend, për të cilin shpresohej se do të nxiste përdorimin e pikave kufitare nga banorët lokalë, vazhdon të mbetet, ndërsa pikat kufitare janë të hapura ashtu siç janë rrugët që çojnë drejt tyre, por asnjë veturë e vetme nuk kalon.

Pavarësisht interesit të kuptueshëm të Kosovës në kontrollimin e kufijve të saj, këtu ka mësime të rëndësishme për t’u mësuar rreth përpjekjes që çështjet, si liria e lëvizjes, të përdoren si mjet presioni, me të cilin synohet të bindet një pjesë e njerëzve ta pranojnë një sovranitet, që ata e cilësojnë si të huaj.

Disa barrikada kanë mbetur në zonën e kapluar nga dëbora në rajonin verior të Kosovës, më pak të tilla mbikëqyren ende. Magjistralja kryesore Prishtinë-Beograd është ende e bllokuar në Dudi Kërsh nga diçka që duket të jetë një sasi e madhe e zhavorrit (është e pamundshme të saktësohet kjo për shkak të dëborës së madhe) dhe nga teli me gjemba i vjedhur nga NATO-ja në konfrontimet e vjeshtës së fundit. Pak më lart, në këtë rrugë, bllokada e dikurshme masive në Rudar është hequr tërësisht, edhe pse në afërsi të saj shihen ende disa njerëz - siç duket në gjendje gatishmërie për ta mbyllur atë sërish në rast të nevojës.

Dy nga tri urat në Mitrovicë, që ndajnë pjesën veriore të vendit të banuar kryesisht me serbë nga jugu i Kosovës, janë ende të lira, ndërsa për shkak të dëborës është krijuar një mundësi kalimi karshi barrikadës, e cila bllokonte, kohë më parë, trafikun në urën lindore. Në këtë mënyrë, rruga për kalim është transferuar në trotuarin e mbuluar me dëborë, përtej grumbullit të zhavorrit duke u kthyer sërish në rrugën paraprake. Nga aty, rruga është e pastër deri në kufirin me Serbinë në afërsi të fshatit Jarinë.

Trupat gjermane të KFOR-it mbajnë një pikë kufitare para kalimit kufitar; ata ndalin veturat duke bërtitur “Karta!” (letërnjoftim), i kontrollojnë ato dhe japin leje për kalim. Disa qindra metra më poshtë, përmes një rruge tjetër të pazhbllokuar nga dëbora, arrin në pikën e tashme kufitare, që duket si një vend fantazmash në Alaska. Shenja e parë që tregon se këtu ka jetë është një Husky i Alaskës, i ngazëllyer të luajë me njerëz të rinj. Pastaj vjen një pjesëtar bullgar i EULEX-it, i cili kërkon të dijë se përse nuk kemi auto-targa (vetura është e regjistruar në Kosovë dhe kalimi për në veriun e banuar me serbë thuhet se është i rrezikshëm, ndërsa gjysma e veturave që qarkullojnë në veri e bëjnë këtë pa auto-targa).

Më pas ai pyet se për ku jemi nisur, gjë që më habit meqë rruga para nesh jo vetëm se nuk është liruar nga dëbora, por është edhe e bllokuar nga disa tanke. Ne themi se duam të shkojmë për në Serbi. Ai, ndërkaq, thotë se kjo është në rregull, porse ka një problem me rrugën, meqë, sipas tij, ekziston një bllokadë tjetër rrugore nëse depërtojmë më thellë në territorin e Serbisë dhe se “çdokush që ka tentuar ta kalojë atë, është kthyer prapa”. Pastaj, ai afrohet dhe thotë: “Ka një rrugë tjetër, të cilën mund ta përdorni, po ua them këtë si këshillë”. Në këtë mënyrë, polici i EULEX-it na drejton te një rrugë ilegale alternative (një nga rrugët që janë krijuar nga banorët lokalë serbë për shkak të mungesës së pikave të kontrollit të KFOR-it aty).

Meqë jemi të interesuar për të mësuar më shumë për pikën e tanishme kufitare e nuk jemi të interesuar për të kaluar në Serbi, ne pranojmë ta lëmë veturën në kufi për të ecur drejt Serbisë.

Rruga është e qetë dhe e bukur dhe ne shpejt kalojmë përmes dëborës duke përdorur shtigjet e kaluara më parë nga këmbësorët. Pasi kaluam disa qindra metra në këtë rrugë me pirgje prej një metri e më shumë, tërësisht të pakalueshme, me ose pa bllokada rrugore, pamë se ajo ishte e mbyllur nga gurët që kishin rënë nga kodrat përreth. Pas rreth një kilometri e gjysmë, ne arrijmë në pengesën e parë, ku dikush ka marrë një rrethojë, të cilën e ka shpërndarë në rrugë. Njëqind metrat e ardhshëm janë përplot fidanë e degë të drunjtë - asgjë që një njeri i fuqishëm s’do të mund ta largonte brenda një ore.

Më në fund, ne arrijmë te barrikada që, në fakt, është një tendë e gjelbër ushtrie e vendosur në mes të rrugës e zbukuruar me flamuj grekë, rusë dhe serbë.

Marko Prelec

Marko Prelec

Edhe në afërsi të kësaj bllokade gjejmë një qen të braktisur, një qen ngjyrë kafe, i cili në të vërtetë është i tmerruar nga ne, e në të njëjtën kohë shpreson se ne do të jemi ata që mund t’i japim diçka për t’u ushqyer. Ky qen fshihet pas një shtylle të drunjtë dhe i përcjell veprimet tona.Unë vazhdoj deri aty ku rruga është sërish e lëruar. Marrim vesh se autobusët nga Serbia vijnë deri në këtë pikë, ndalen dhe i lënë pasagjerët, të cilët, më pas, duhet të vazhdojnë në këmbë mbi kodër dhe përreth pikës së kontrollit deri në rrugë, ku i pret një autobus tjetër. Unë i bëjë disa foto dhe bëhem gati për t’u kthyer kur papritmas më del përpara rojtari i barrikadës.

Ky është i pari i këtij lloji, në të cilin kemi hasur - në territorin e Serbisë, e jo në atë të Kosovës.

Rojtari i barrikadës është në fillim të njëzetave dhe mësojmë se ai është një vullnetar nga Mali i Zi, i cili ka ardhur këtu për t’i mbrojtur vëllezërit e tij serbë nga shqiptarët. Ai është anëtar i një grupi ekstremist SNP 1389, që u përplas dhunshëm me policinë në Serbi dhe Kosovë. Megjithatë, ai është i sjellshëm dhe, me sigurimin se është i paarmatosur, na fton në tendën e tij. Nga brenda, tenda është e dekoruar me pankarta që mbajnë sloganin:“Vitin e ardhshëm në Prizren”, posterë në mbështetje të të akuzuarve për krime lufte Ratko Mlladiq e Radovan Karaxhiq dhe me një flamur të Malit të Zi para ndarjes nga Serbia.

Në tendë shohim edhe dy shtretër, një stufë dhe një tavolinë me ushqim. Ne bisedojmë përzemërsisht për një orë e gjysmë; ai kundërshton BE-në, por është i mërzitur se ajo nuk e ka pranuar Malin e Zi si kandidat për anëtarësim. Nikoqiri ynë diskuton për meritat e veta gjatë përplasjeve me trupat e KFOR-it (“Hungarezët - ua kemi nxjerrë yndyrën duke i rrahur, por ata nuk qëllonin! Por, gjermanët - nëse lëvizje shpejt, ata hapnin zjarrin”), ndërsa vajton perfiditetin e ndërkombëtarëve dhe të Serbisë që i kanë lënë serbët nën mëshirën e Prishtinës. Shpresa e vetme, sipas tij, është nëse partia e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, humb në zgjedhjet e ardhshme, ose nëse ndahet Kosova.

Ai (kurrë nuk ia mësuam emrin) tregoi se një autobus në baza rutinore ndalet te tenda e tij, shkarkon pasagjerët nga Serbia, të cilët pastaj do të ecnin drejt kufirit për t’u ndalur para arritjes atje duke përdorur një rrugë alternative drejt një pike tjetër për në Kosovë ku i pret një autobus tjetër.

(Autobusët që përdorin rrugët alternative të rekomanduara nga EULEX-i e kanë bërë të njëjtën gjë, por në rastin e tyre për shkak se veturat nuk mund ta kalonin terrenin e vështirë, pasagjerëve iu është dashur që ta vazhdojnë rrugën në këmbë).

Ne u përshëndetëm me njeriun e 1389 dhe qenin e tij (tani mjaft të shoqërueshëm) për t’u kthyer në kufi. Gjatë kthimit tonë, ishte e qartë se pjesëtarët e EULEX-it kishin qenë duke diskutuar të shqetësuar për atë se çfarë ka ndodhur me ne. Në mënyrë absurde, që kur kishim ardhur nga Kosova dhe që kur e kishim lënë veturën e parkuar në pikën e tyre kontrolluese, ata insistonin në kontrollimin e dokumenteve të kolegëve të mi (që kishin letërnjoftime serbe) dhe pajisjen e tyre me dokumente të “hyrje-daljes” të miratuara gjatë dialogut teknik të lehtësuar nga BE-ja.
Edhe pse na siguruan se do t’i lëshonin ato si çështje rutinore, kaloi më shumë se gjysmë ore me pëshpëritje dhe diskutime, derisa dokumentet u paraqitën.

Ndërkohë, ata na treguan se këmbësorët përdornin zakonisht pikën kufitare për kalim kur dëbora kishte rënë në atë masë sa që pamundësonte depërtimin.

Çfarë do të thotë e tërë kjo? BE-ja i bëri presion Serbisë, sidomos në nëntor dhe dhjetor, duke kërkuar që Beogradi t’i detyrojë serbët e veriut të Kosovës t’i heqin barrikadat në emër “të lirisë së lëvizjes”. KFOR-i ndërmori një varg aksionesh kundër barrikadave duke shkaktuar disa pasoja.

Barrikadat brenda Kosovës janë larguar. Mirëpo, ende nuk ka liri të lëvizjes, meqë rruga për në Serbi është e bllokuar - nga vetë EULEX-i dhe nga i vetmi malazez në territorin e Serbisë.

Por, askush nuk bën zë. Është e lehtë të supozohet se përse. Bllokada e mbetur rrugore s’është për t’u marrë seriozisht dhe mund të largohej nga Serbia brenda gjysmë ore, por serbët e Kosovës do t’i përgjigjeshin një veprimi të tillë me rivendosjen e një barrikade tjetër.

Pastaj, EULEX-i dhe KFOR-i do të detyroheshin t’i rikthehen një ballafaqimi tjetër në acarin e madh, pa ndonjë rezultat, ashtu siç bënë në vjeshtën e kaluar. Shumë më mirë do të ishte të veprohet bazuar në një “marrëveshje fisnike”: pikat kufitare janë të hapura, por pikat e vërteta kalimtare mbesin rrugët alternative.

Situata tregon, me qartësi prej kristali, marrëzinë e fushatës për “lirinë e lëvizjes”, e cila kushtoi dhjetëra miliona euro, shkaktoi dhjetëra të lënduar, e bëri udhëtimin më të vështirë për njerëz të zakonshëm dhe nuk shkaktoi asnjë arritje.

E tërë kjo nisi për shkak të mosmarrëveshjeve kryesore ndërmjet Kosovës e Serbisë - pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

Përpjekja për t’i përdorur çështjet si liria e lëvizjes - ose sundimi i ligjit - si mjete për t’u ndryshuar mendjen mbi çështjet e sovranitetit banorëve lokalë, vetëm se dëmton mjetin. Mosmarrëveshja nuk është teknike dhe nuk mund të zgjidhet duke pretenduar se është e tillë.(e.p.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG