Ndërlidhjet

(S')mirëpritet referendumi në Siri


Homs, 13 shkurt 2012.

Homs, 13 shkurt 2012.

Referendumi për kushtetutën e re të Sirisë, i paralajmëruar për 26 shkurt nga presidenti Bashar al-Asad, është pritur në mënyra të ndryshme nga fuqitë botërore.

Përderisa Shtëpia e Bardhë e ka quajtur një “propozim qesharak”, ministri i Jashtëm rus, Sergi Lavrov, ka thënë se ai shënon “një hap përpara”.

Draft-dokumenti i propozuar nga Asadi, raportohet se përmban një klauzolë që e përshkruan partinë e tij, Baath, si “udhëheqëse të kombit dhe të shoqërisë”.

Referendumi është shpallur të mërkurën, kur edhe ka vazhduar shtypja vdekjeprurëse ndaj protestuesve anti-qeveritarë. Aktivistët thonë se forcat siriane të sigurisë kanë vazhduar me operacionet ushtarake në qytetet Homs dhe Hama.

Duke folur para gazetarëve në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë se nuk ekzistojnë plane të aleancës për ndërhyrje në Siri.

“NATO-ja nuk e ka ndërmend të ndërhyjë në Siri. Ne i vlerësojmë lart të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje. E vlerësoj punën e Ligës Arabe. Besoj se do të gjendet një zgjidhje rajonale”, ka thënë Rasmusen.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare qysh në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe kanë humbur jetën mijëra persona.
XS
SM
MD
LG