Ndërlidhjet

Asambleja e Përgjithshme voton rezolutën për Sirinë


Pamje nga sulmet në Homs, 15 shkurt 2012.
Pamje nga sulmet në Homs, 15 shkurt 2012.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë sot rezolutën kundër dhunës në Siri.

Dokumenti dënon fuqishëm regjimin e Basharl al-Asadit për shkeljet e të drejtave të njeriut, ndërsa mbështet planin e Ligës Arabe që i bën thirrje udhëheqësit sirian të japë dorëheqje.

Formulimi thuhet të jetë i ngjashëm me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ishe kundërshtuar nga Rusia dhe Kina më 4 shkurt.

Sidoqoftë, rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme nuk mund t’iu vihet veto, andaj edhe mbesin joobliguese.

Në prag të votimit të sotëm, Amnesty International dhe Human Rights Watch i kanë bërë thirrje Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që t’i kërkojnë Qeverisë siriane “fundin e të gjitha shkeljeve të të drejtave të njeriut, si dhe përgjegjësi për krimet e kryera”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pritet të takojë në Vjenë homologun e tij francez, Allen Zhype, për të diskutuar propozimin që flet për “korridore humanitare”. Krijimi i këtyre të fundit do të kishte qëllim ndihmën për civilët sirianë.

Lavrov tha se do ta shqyrtojë tekstin.

“Nuk mund të komentoj sepse nuk e di çfarë shkruan në atë rezolutë, por një gjë është e qartë: të gjitha zhvillimet që parashohin prezencën ndërkombëtare në çdo territor, duhet të miratohen nga të gjitha palët në konflikt. Ky është parimi bazë i të gjitha zhvillimeve paqeruajtëse të OKB-së dhe ai nuk mund të injorohet”, ka thënë Lavrov.

Aktivistët raportojnë se forcat siriane të sigurisë kanë vazhduar operacionet ushtarake në Homs dhe Hama.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare qysh në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe thuhet të kenë humbur jetën mijëra njerëz.
XS
SM
MD
LG