Ndërlidhjet

Hooper: S'duhet të ketë pajtueshmëri për fusnotë


Në veri të Mitrovicës
Në veri të Mitrovicës
Nëse Kosova pajtohet me këtë lojë të ndryshimit të emrit, gjë të cilën diplomatët dhe negociatorët evropianë janë duke propozuar, Kosova do të ngujohet përgjithmonë me atë emër dhe do të shndërrohet në një "shtet asterisk" (me fusnotë), thotë ish-diplomati amerikan, James Hooper, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, ta nisim këtë intervistë me çështjen e referendumit në veri. Ndonëse shihet si një veprim pa ndonjë ndikim praktik, cilat mendoni se do të jenë pasqyrimet në afat më të gjatë?

JAMES HOOPER
Mendoj se është një veprim që ka një ndikim të caktuar. Me të, i dërgohet një mesazh komunitetit ndërkombëtar, se komuniteti serb në atë pjesë nuk është i gatshëm të tregojë fleksibilitet, nuk është i gatshëm të ofrojë mbështetje, të ndihmojë dhe të ketë mirëkuptim për bisedimet teknike, të cilat Bashkimi Evropian po i zhvillon.

Gjithashtu mendoj se në këtë formë, Serbia është e paaftë, ose jo e gatshme, që ta kontrollojë këtë çështje, gjë që nënkupton se kushtet që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka vënë për statusin e kandidatit për Serbinë, nuk janë përmbushur ende.
Vota e serbëve të Kosovës në veri - dhe të gjithë e dimë se cili do të jetë rezultati - nuk do të ketë rëndësi brenda në Kosovë, por do të ketë në Bruksel dhe Berlin, sikurse edhe në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është, sipas jush, qëllimi kryesor i këtij referendumi?

JAMES HOOPER
Është një përpjekje për të dëshmuar mungesën totale të fleksibilitetit të serbëve në veri, për të pranuar se ata janë pjesë e Kosovës. Në këtë mënyrë, po dërgohet një mesazh në Serbi, se duan ndihmë dhe këtë e kërkojnë nga forcat nacionaliste atje.

Në një farë mënyre, është thirrje për ndihmë drejtuar Serbisë, duke refuzuar të pranojnë çfarëdo mundësie për të qenë pjesë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Situata në veri vazhdon të jetë temë diskutimesh, me disa që thonë se për veriun mund të jetë i nevojshëm një status special dhe me të tjerët që këmbëngulin se Plani i Ahtisarit është plan i mirë për atë pjesë. Cilin argument mbështesni më shumë?

JAMES HOOPER
Unë propozoj një Plan të Merkelit për veriun. Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte e gatshme të shkojë në Berlin dhe të shprehë gatishmërinë për një marrëveshje, e në bazë të kësaj marrëveshjeje, Serbia do të duhej të lejonte Kosovën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara…

Nuk do të kishte më bllokada, nuk do të kishte më veto nga Rusia. Në këmbim, Kosova do të ishte e gatshme të pranojë një plan të gjerë dhe autonom për veriun, por gjithnjë në korniza të asaj çfarë ka thënë zonja Merkel gjatë vizitës së saj të mëhershme në Beograd dhe me rastin e vendimit që u mor për statusin e kandidatit për Serbinë; përderisa sovraniteti i Kosovës në veri respektohet, Prishtina do të ishte zemërgjerë për t’i dhënë veriut një shkallë më të gjerë autonomie dhe mendoj se ky do të ishte Plani i Merkelit.

Unë e shoh në këtë mënyrë dhe ky do të ishte propozimi im. Qeveria e Kosovës ka llogari të jetë zemërgjerë dhe të them sinqerisht, ka llogari të jetë zemërgjerë edhe ndaj kancelares Merkel, për t’i dhënë asaj shansin që ta ndërmjetësojë një marrëveshje të këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është pezulluar, ndërkohë që palët, përfshirë Bashkimin Evropian, kërkojnë zgjidhje për përfaqësimin e Kosovës. Është përmendur një fusnotë, në të cilën do të mund të përfshihej Rezoluta 12 44, por edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë. Me 87 vende që e kanë njohur Kosovën si Republikë sovrane dhe të pavarur, a mendoni se kjo çështje është dashur fare të diskutohet?

JAMES HOOPER
Nuk mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të pajtohet me këtë. Nuk është aspak në interesin e Kosovës. Do të zhvlerësojë përparimin që është arritur në raport me veriun që nga vera e kaluar, kur kjo pjesë deri atëherë shihej si e humbur, kurse tash shihet si pjesë e përhershme e Kosovës.

Pse të hidhet e gjithë kjo poshtë, me ndryshimin e emrit, duke zhvlerësuar kështu krejt përparimin e arritur në ruajtjen e sovranitetit. Vetëm shikoni se çfarë ka ndodhur me fqinjin e Kosovës, Maqedoninë, e cila është ngujuar me termin “FYROM” (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

Nëse Kosova pajtohet me këtë lojë të ndryshimit të emrit, gjë të cilën diplomatët dhe negociatorët evropianë janë duke propozuar, Kosova do të ngujohet përgjithmonë me atë emër dhe do të shndërrohet në një "shtet asterisk" (me fusnotë).

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe kosovarët duhet të jenë shumë kokëfortë në këtë rast. Është në interesin e tyre të jenë kokëfortë, nuk është në interesin e tyre të ndihmojnë bisedimet teknike në këtë mënyrë, sepse do të hiqnin dorë nga interesi strategjik i Kosovës, vetëm e vetëm për t’i shërbyer hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, proces ky i ndërmjetësuar nga vetë BE-ja.

Shumë më mirë do të ishte, sipas mendimit tim, që të ketë një plan të ndërmjetësuar nga Angela Merkel, i cili do të ishte më serioz dhe do të zgjidhte disa nga çështjet, në kushte të pranueshme si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

Nuk duhet të ketë pajtueshmëri për kësi lloj ndryshimesh të emrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Fillimi i fundit të pavarësisë së mbikëqyrur është shpallur tashmë dhe planet janë që ky proces të finalizohet deri në fund të vitit. Me sfidat që Kosova ka përpara, sa është reale një pritje e këtillë?

JAMES HOOPER
Unë mendoj se Kosova e tregon më së miri efektivitetin që ka kur përballet me një krizë dhe sfidë të vërtetë. Nuk ka arsye pse Kosova të mos përballet edhe me këtë sfidë, nëse vërtet punon në këtë drejtim dhe nëse përqendrohet në qeverisje edhe më të plotë, duke marrë përsipër edhe më shumë përgjegjësi.

Shumëçka nga e gjithë kjo ka të bëjë me lidershipin, mendoj se ka kapacitete për lidershipin aktual, për presidenten Jahjaga, kryeministrin Thaçi dhe kabinetin e tij… mbase duhet bërë disa ndryshime, çfarëdo qoftë që duhet bërë për t’u përballur me faktin se shumë më shumë punë duhet kryer, për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë.

Është gjithmonë shumë e rrezikshme për të thënë “kemi nevojë për më shumë kohë, rrini më gjatë me ne”, sepse në atë rast ndërkombëtarët rrinë më shumë se që do të donit të rrinë.

Sinqerisht, ka ardhur koha që kosovarët të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme për të organizuar vetveten në atë mënyrë që të mund të qeverisin vetveten.
XS
SM
MD
LG