Ndërlidhjet

Punët në autostradë, me kohë


Gjatë ndërtimit të rrugëve/ foto nga arkivi
Gjatë ndërtimit të rrugëve/ foto nga arkivi

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës që në javët e fundit mbizotëruan në gjithë territorin e Kosovës, kanë obliguar kompaninë Bechtel& Enka që të minimizojë punimet në terren për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdarë, bëjnë të ditur përfaqësues të kësaj kompanie.

Megjithatë, Ela Ruqi, zëdhënëse në kompaninë ndërtuese, thotë se kjo nuk do të ndikojë që seksioni i katërt i autostradës të përfundojë në afatin e parashikuar.

Punëtorët e terrenit janë në pushime për momentin, deri në momentin që koha të na lejojë që ata të kthehen. Kjo është bërë për dy arsye shumë të rëndësishme, e para është jeta e tyre, sepse temperaturat e ulëta dhe bora që nuk pushonte nuk lejonte që ata t’i nxjerrim në terren, pasi rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre. Dhe e dyta ka të bëjë më cilësinë e punimeve. Në një situatë të tillë, punët janë minimizuar”, thotë Ruqi.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar është bërë inaugurimi i 38 kilometrave të parë të autostradës Vërmicë – Merdarë, ndërsa seksioni katërt që parashihet deri në Qafë të Dulës, që gjenden në territorin e Suharekës, sipas Ela Ruqit, pritet të përfundojë gjatë këtij viti.

Ajo pohon se të gjitha punimet kanë shkuar sipas planifikimeve në kontratë, duke përfshirë këtu edhe pagesën e mjeteve materiale nga qeveria.

Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer partnershipi me qeverinë, gjithçka ka shkuar siç është planifikuar, dhe kjo falë një bashkëpunimi të ditëpërditshëm me të gjithë partnerët tanë, me institucionet që janë të përfshira në projekt”.

Do të thotë se ne kemi treguar se dimë të ndërtojmë brenda afateve, brenda kostos të përcaktuar dhe më cilësinë e kërkuar. Mendoj se 38 kilometrat e parë, më nuk janë fantazi, por janë realitet”, shprehet Ruqi.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike, shpresojnë se kompania amerikano- turke Bechtel &Enka, punimet për ndërtimin e autostradës do t’i përfundojë në afatin e paraparë.

Në bazë të zhvillimeve të punimeve gjatë vitit të kaluar, Naim Gashi, është optimist se kompania do t’i përfundojë punimet deri në nëntor të vitit të ardhshëm, ashtu siç është paraparë më kontratë.

Unë sugjeroj që qeveria t’i kushtojë më shumë kujdes kontrollit të kualitetit të punimeve, të cilat janë bërë në autostradë. Ndërsa, sa i përket dinamikës nuk kam ndonjë vërejtje, Bechtel&Enka, edhe ashtu, para kohe e ka përfunduar pjesën e parë të autostradës prej 38 kilometrave”, thekson Gashi.

Punimet rreth ndërtimit të autostradës, që mban emrin “Ibrahim Rugova” kanë filluar në fund të muajit maj të vitit 2010, ndërkaq kostoja për ndërtimin e saj, sipas zyrtarëve qeveritarë, do të kushtojë rreth 700 milionë euro.

Kostoja e ndërtimit të 38 kilometrave të parë të autostradës thuhet të ketë kushtuar rreth 330 milionë euro, ndërsa nga buxheti i këtij viti, ekzekutivi i vendit ka ndarë rreth 300 milionë euro të tjera.
XS
SM
MD
LG