Ndërlidhjet

Pasojat në praktikë nga referendumi


Votimet në veri...

Votimet në veri...

Rezultatet përfundimtare të referendumit të mbajtur nga serbët e veriut të Kosovës, përmes të cilit janë deklaruar nëse i pranojnë ose jo institucionet e Republikës së Kosovës, do të bëhen të ditura ditën e diel, më 19 shkurt, kanë theksuar përfaqësuesit e serbëve të veriut.

Ata kanë thënë se pas mbajtjes së referendumit, serbët e veriut do ta zvogëlojnë presionin, i cili, sipas tyre, u vjen nga institucionet e Prishtinës.

I ashtuquajturi zëdhënës i komisioneve zgjedhore për komunat serbe në veri të Kosovës, Lubomir Radoviq, ka thënë se rezultatet preliminare të referendumit tregojnë se pjesëmarrja ka qenë 75 për qind, ndërkaq që shumica e madhe e tyre janë deklaruar se janë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës.

Institucionet e Kosovës i mbështesin 0.26 për qind e atyre që kanë marrë pjesë në referendum. Ndërkaq, institucionet e Serbisë dhe mbijetesën e serbëve në veri të Kosovës i mbështesin 99. 74 për qind e votuesve, të cilët gjatë këtyre dy ditëve kanë dalë në referendum”, tha Radoviq.

Drejtuesi i të ashtuquajturit Kuvend Komunal i Zveçanit, Dobrosav Dobriq, ka theksuar se përfaqësuesit serbë të veriut, do të vendosin për hapat e mëtejmë pas kësaj jave, por, fillimisht, sipas tij, qytetarëve, shtetit serb dhe qarqeve ndërkombëtare, do t’u sqarohen rezultatet e referendumit.

Populli ka marrë pjesë në referendum në mënyrë masive dhe e ka rrumbullakuar ‘Jo’ për institucionet e Kosovës. Në të kundërtën kjo nënkupton se ka votuar për Republikën e Serbisë dhe mbetjen nën institucionet e këtij shteti. Ne jemi tejet të kënaqur me rezultatin e referendumit”, ka thënë Dobriq.

Në anën tjetër, zyrtarët e institucioneve të larta të Republikës së Kosovës, por edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend, e kanë vlerësuar jo të ligjshëm organizimin dhe mbajtjen e referendumit nga serbët e veriut të Kosovës, duke theksuar se edhe rezultati i këtij referendumi nuk do të reflektojë pasoja juridike.

Me qëndrimet dhe vlerësimet e tilla pajtohen edhe analistët e çështjeve politike në Kosovë, por ata thonë se megjithatë, në praktikë, ky referendum do të reflektojë pasojat politike, qoftë për Kosovën, qoftë edhe për Serbinë.

Analisti Ardian Arifaj, vlerëson se me mbajtjen e referendumit, serbët e veriut kanë rënë në kundërshtim me qëndrimet e Beogradit, dhe ky i fundit e ka humbur besueshmërinë, të cilin e pretendonte për t’i përfaqësuar serbët e veriut.

Por, sipas tij, pasoja do të ketë edhe për Prishtinën zyrtare, ndonëse sipas tij, kjo do të jetë një situatë paradoksale.

Pse paradoksale? Në shikim të parë, ka një dukje që të mos jetë e mundur për Prishtinën që të depërtojë te komuniteti, por edhe përfaqësuesit politikë të serbëve në veri të Kosovës, pasi që ata tash do të thirren në një dokument - sado që për ne është jolegal, me të cilin ata nuk e pranojnë autoritetin e Prishtinës”. “Por, në anën tjetër, nëse nuk e kanë autoritetin e Beogradit që t’i përfaqësojë dhe t’i përkrahë, atëherë kanë për të mbetur krejtësisht të vetëm dhe të vetmet autoritete me të cilat, atëherë, do të mund të bisedojnë, kanë për të qenë autoritetet e Prishtinës”.

Por , mendim tjetër ka analisti Halil Matshi, i cili thotë se referendumi i mbajtur nga serbët e veriut, më shumë do të reflektojë pasoja negative për vet shtetin e Kosovës.

Në kuptimin juridik, ai referendum nuk prodhon asgjë të prekshme. Mirëpo, në kuptimin praktik, e thellon edhe më tutje ndarjen etnike brenda vet Kosovës dhe e sfidon objektivisht sërish Prishtinën zyrtare, kushtetutshmërinë, rendin kushtetues të Kosovës dhe integritetin territorial të saj”, thotë Matoshi.

Ai shton se deklaratat të cilat i kanë bërë zyrtarët e Beogradit, se referendumi i serbëve të veriut nuk është historik dhe i krahasueshëm me referendumin që e patën mbajtur shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të 90-ta, janë të qëndrueshme.

Por, sipas tij, në mbajtjen e referendumit, ka gisht edhe Beogradi zyrtar.

Objektivisht, këtë letër (referendumin), të cilën nuk e pranon as Prishtina zyrtare, as bashkësia ndërkombëtare dhe verbalist as Beogradi zyrtar, rritet ose mëtohet të rritet pazari për negociata politike mbi një status special, të cilin praktikisht e kërkojnë serbët e Kosovës në veri dhe parapa së cilës qëndron vet Beogradi zyrtar, edhe pse verbalist po deklarohet kundër”.

Sidoqoftë, në referendumin e organizuar nga serbët e veriut të Kosovës, siç është thënë nga përfaqësuesit serbë, nuk ka marrë pjesë askush nga banorët shqiptarë që jetojnë në fshatrat e kësaj pjese të vendit.

Ndryshe, ende mbetet të shihet, se cilat do të jenë veprimet e përfaqësuesve serbë të veriut, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të referendumit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG