Ndërlidhjet

Në vitet e pavarësisë së Kosovës, ekonomia e vendit nuk ka shënuar ndonjë përparim të dukshëm. Madje, në këto katër vjet, Kosova është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për një ambient të pafavorshëm të të bërit biznes.

Gjatë kësaj periudhe, Kosova është ballafaquar edhe me rënie të investimeve të huaja, investime këto për të cilat është pritur se do të rriten pas shpalljes së pavarësisë, por megjithatë në sektorë të ndryshëm ka pasur edhe përmirësime, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, e konsideron pozitiv faktin se pas vitit 2008, Qeveria e Kosovës është faktorizuar në kuptimin e formulimit të politikave ekonomike dhe në rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë për zhvillimin e vendit.

Megjithatë, Sadiku vlerëson se ekzekutivit të vendit i mbetet shumë punë për të pasur sukses në zhvillimin ekonomik. Prioritet, sipas tij, në këtë fushë, mbetet luftimi i korrupsionit dhe krijimi i mundësive për një ambient më të përshtatshëm për investitorët e huaj.

“Ajo që ka rëndësi të madhe për Kosovën është luftimi i korrupsionit. Kosova nuk vuan nga mungesa e legjislacionit për luftimin e korrupsionit, nuk vuan nga institucionet që duhet të adresojnë këtë problem, por Kosova ka problem që efektivisht të konfrontohet me korrupsion”, thotë Sadiku.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se në katër vjetët e shtetësisë, zhvillimet ekonomike nuk kanë munguar, por jo në nivelin e pritjeve dhe të premtimeve.

Gjatë kësaj periudhe, sipas tij, nuk ka pasur ulje të shkallës së varfërisë dhe papunësisë. Kontrabanda, krimi i organizuar, korrupsioni ende mbesin në nivel të lartë, thotë Rexhepi, duke shtuar se këto dukuri kanë zbehur imazhin e vendit karshi investitorëve ndërkombëtarë, por edhe atyre vendorë.

“Në këtë rrafsh ka shumë kontraste, pasi është vështirë të thuhet se a ka pasur rritje apo jo. Nëse shikohen disa indikatorë, rezulton një rritje, por nëse shikohet ambienti i përgjithshëm, atëherë realisht është vështirë të thuhet se ka pasur një ecje, e cila është në përputhje me nevojat dhe pritjet e popullatës”, pohon Rexhepi.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë konsiderojnë se gjatë kësaj periudhe ka pasur një progres ekonomik të qëndrueshëm, edhe pse mbetet punë për t’u bërë.

Berndard Nikaj, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se në vitet e shtetësisë, autoritetet kompetente kanë krijuar reforma dhe bazë ligjore për përmirësimin e të bërit biznes në Kosovë, rrjedhimisht mbrojtjen e investitorëve të huaj.

“Të gjitha ato reforma sa i përket të të bërit biznes, do të kontribuojnë edhe në krijimin e një mjedisi më të favorshëm investiv. Kur them këtë, dëshirojë t’ju kujtoj edhe numrat e investimeve të huaja direkt që janë publikuar nga Banka Qendrore, në muajit e kaluar, ku shihet se ka pasur një rritje sado të vogël të investimeve të huaja direkt. Dhe, nëse krahasohemi me rajonin, siç është Maqedonia, e cila qëndron shumë më mirë në Raportin e Bankës Botërore, për të bërë biznes, ne kemi pasur investime të huaja shumë më shumë sesa ata”, thekson Nikaj.

Një ndër sukseset e arritura në vitet e pavarësisë, për autoritetet kosovare vlerësohet anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Rreth 16 muaj pas shpalljes se pavarësisë, në maj të vitit 2009, Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa në qershor të këtij viti, pra më 2009, Republika e Kosovës, u pranua edhe në Bankën Botërore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG