Ndërlidhjet

Pritjet e qytetarëve kosovarë katër vjet pas pavarësisë, kanë qenë shumë më të mëdha, sesa ato që janë arritur nga institucionet e vendit, thonë ata në një anketë realizuar nga Radio Evropa e Lirë. Por, ka edhe të tillë që janë shumë optimistë dhe thonë se nuk mund të rregullohet gjithçka brenda një periudhe të shkurtër.

Fatmir Sopi, rreth 40 vjeç, shpreh mendimin e tij:

“Normalisht, kemi pritur, por edhe institucionet kanë punuar aq sa kanë mundur dhe nuk duhet menduar që të arrihen të gjitha shumë shpejt. Kemi pritur më shumë vende të punës. Por, në të gjitha fushat kanë bërë atë çka kanë pasur mundësi. Unë jam ish i burgosur politik, dhe unë nuk kënaqem kurrë me të arritura, por kemi përballuar edhe situata më të rënda, andaj nuk duhet të jemi pesimistë”.

Ndërkaq, Rrahim Prestreshi, 50-vjeçar, konsideron se katër vjet pas pavarësisë vendi nuk është në gjendje të keqe:

“Kemi pritur më shumë përmirësime, por edhe kështu mirë është duke shkuar”.

Por, ka qytetarë që kanë pritur shumë më shumë nga institucionet e vendit. Adbullah Bilalli, pensionist, nuk duket i kënaqur.

”Me asgjë nuk jam i kënaqur. Gjithçka po shkon me ngecje. Para pavarësisë kemi pritur që do të ketë një punësim më të madh për gjeneratat e reja. Nuk e di se çka mendojnë këta që janë ulur në kolltukë. Jam shumë i zhgënjyer...”, shprehet abdullah Bilalli.

Ndërkaq, Afrimi, student, thotë se ka pritur rezultate më konkrete katër vjet pas pavarësisë:

"Kemi pritur vende të punës më shumë, por s’po ka mundësi”.

E, Besim Bajrami, mendon se papunësia është një nga brengat me të cilat po përballet populli i Kosovës. Zoti Bajrami e ka një ide për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

“Pritjet tona kanë qenë edhe më shumë, por janë realizuar objektivat tanë 70 për qind. Populli po përballet me papunësi të madhe, edhe pse unë jam i punësuar. Propozimi im për institucionet tona është që kush i ka mbi 55 vjet, ta pensionojë dhe t’i punësojë të rinjtë që janë të papunë”, vlerëson Besim Bajrami.

Mentor Gashi, thotë se e di sigurt që një nga premtimet që ka dhënë Qeveria e Kosovës, nuk e ka mbajtur.

“Shumë pak... premtimin më të parin që e kanë dhënë për zhvillim ekonomik, nuk e kanë përmbushur”, rikujton Mentor Gashi.

Ndërkaq, Florije Lekaj, mendon se pozita e gruas duhet përmirësuar më shumë.

“Ishalla rregullohet më mirë, se nuk është bërë si kanë premtuar. Kam menduar që do të bëhet një ndryshim më 2011, por pak janë realizuar. Shpresoj që në vitin 2012 do të bëhet më mirë. Mendoj se edhe pozita e femrës duhet përmirësohet, sepse jemi duke shkuar drejt Evropës”, shprehet Florije Lekaj.

E, Miloti nga Peja, student, 24 vjeç, thotë se asnjëra nga Qeveritë e deritashme nuk kanë dhënë rezultate të kënaqshme.

“Ndoshta para 4 vjetëve kur është shpallur pavarësia, kam qenë më i ri dhe nuk kam menduar si tash. Tash po mendoj që ka pasur mudnësi të bëhet më shumë për vendin, por ka shumë faktorë që nuk po lejojnë përparimin. Secila qeveri që po ndërrohet, rezultate të njëjta po jep”, thotë Miloti.

Ndërkaq në aspektin diplomatik, që kur është shpallur Pavarësia e Kosovës, më 17 Shkurt 2008, deri tani na kanë njohur 87 shtete.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG