Ndërlidhjet

Pavarësia i dha kuptim historisë



Pavarësia e Kosovës është angazhim dhe përpjekje e jashtëzakonshme njëshekullore dhe fryt i punës dhe sakrificave të shumë brezave, deklaroi presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Komentet e saj, Jahjaga i bëri gjatë një parade të Forcës së Sigurisë me rastin e katër-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Republika e Kosovës, tha Jahjaga, e ka integritetin e vet territorial të garantuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e ka subjektivitetin e plotë të përfaqësimit ndërkombëtar, ashtu si edhe të gjitha shtetet e tjera.
Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti...

“Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që konsiderohet si zgjidhja më e drejtë dhe e vetme. Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh, ndërsa në avancimin e marrëdhënieve fqinjësore është bërë një shembull i mirë që respektohet dhe nderohet”, tha Jahjaga.

Duke ritheksuar synimet e shtetit të Kosovës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, presidentja Jahjaga kishte edhe porosinë e saj për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke vlerësuar se ajo shumë shpejt do të jetë në stafin tjetër, që nënkupton se do të shndërrohet në Ushtrinë e Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës deri tash i ka kryer me sukses të gjitha detyrat që i janë dhënë. Ajo i ka përmbushur të gjitha kapacitetet operacionale dhe është plotësisht e gatshme për të kaluar në fazën tjetër që e kërkon vendi ynë”, theksoi Jahjaga.

Dita e pavarësisë i ka dhënë kuptim historisë së Kosovës, tha në fjalimin e tij kryeministri Hashim Thaçi. Megjithatë, ai rikujtoi edhe disa zhvillime e fakte historike që ndërlidhen me katër-vjetorin e shtetit të Kosovës dhe 100-vjetorin e shtetit të Shqipërisë.

“Sot, përderisa Shqipëria shënon 100-vjetorin e pavarësisë, për fat të keq ne kujtojmë 100-vjetorin e pushtimit të Kosovës nga Serbia - por, sot të lirë, të pavarur dhe sovran e krenar. Shteti i Kosovës ka sjellë më shumë paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike”, tha Thaçi.

Liderët kosovarë rikujtuan se Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i sakrificës së popullit të saj dhe i mbështetjes ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditës, udhëheqësit më të lartë të institucioneve, si edhe ata të partive politike bënë homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, si dhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekse e përmendore të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës bëri homazhe te varri i presidentit të ndjerë Ibahim Rugova dhe te kompleksi memorial në Prekaz. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, vlerësoi edhe një herë lart figurën politike të Ibrahim Rugovës, duke thënë se Rugova është themelues i kësaj dite të shtetësisë së Kosovës.

”Me punën, veprën dhe jetën e tij, jo vetëm që i ka bërë nder Kosovës, por edhe gjithë botës shqiptare dhe civilizimit evropian”, rikujtoi presidentin dhe ish-kryetarin e LDK-së, Beqiri.

Vetëm Lëvizja Vetëvendosje konsideroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një hap para dhe tre prapa. Ky subjekt politik është kundër Planit të Ahtisarit si bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe se në programin e vet politik angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Sidoqoftë, Kosova festoi katër-vjetorin e saj si shtet i njohur nga 88 vende. Kurse, në aspektet e zhvillimit të saj të brendshëm, po ballafaqohet ende me probleme serioze në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, me mungesë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe me pamundësi që të shtrijë autoritetin në komunat veriore të saj, të populluara me shumicë serbe.


Festimi i 4 vjetorit të pavarësisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00
XS
SM
MD
LG