Ndërlidhjet

Përparime modeste, e shumë sfida


Obelisku i pavarësisë

Obelisku i pavarësisë

Derisa udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, me rastin e katër- vjetorit të pavarësisë, thonë se Kosova paraqet një tregim të suksesit, analistët politikë mendojnë ndryshe.

Ata konsiderojnë se për katër vjet të shtetësisë janë shënuar përparime, por ka edhe shumë sfida përpara.

Profesori i diplomacisë, Valon Murtezaj, i cili ligjëron në njërin nga universitet e Parisit, thotë se vendi ka shënuar disa përparime, megjithëse, siç shprehet ai, shumë gjëra, të cilat mendohet se kanë përfunduar, nuk janë kryer ashtu si do të duhej.

“Konsolidimi i institucioneve demokratike në një masë është bërë, pastaj zbatimi i të drejtave të njeriut, të drejtave të minoriteteve, sundimi i ligjit etj. Mirëpo, të gjitha këto janë deri në një masë. Ajo çka kërkohet që Kosova të vazhdojë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, duhet që të gjitha këto elemente - aspekte që i përmenda më herët, të jenë institucionale dhe shtetërore, të forcohen dhe zhvillohen më tej”, vlerëson Murtezaj.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet ta forcojë subjektivitetin e saj në aspektin ndërkombëtar dhe ta shtrijë kontrollin në gjithë vendin.

Mushkolaj shprehet se pavarësisht disa përparimeve në katër vjetët e shkuara, Kosova po përballet me shumë probleme - një nga to, sipas tij, është moszhvillimi ekonomik dhe shkalla e lartë e papunësisë.

“Nëse flasim në aspektin e një subjektiviteti në kuadër të bashkësisë së shteteve, atëherë mund të themi se Kosova ja ka arritur në një farë mënyre që të etablohet kënaqshëm në këtë bashkësi. Ndërkaq, nëse flasim për aspektet e tjera, ta zëmë në aspektin ekonomik, atëherë absolutisht nuk duhet të jemi të kënaqur për shkak se Kosova nuk ka arritur përparime në këtë aspekt”, thotë Mushkolaj.

Përvjetori i katërt i pavarësisë, Kosovën si shtet e gjën me 88 njohje, anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankës Botërore. Pavarësisht kësaj, Kosova përballet me shumë probleme.

Profesori Murtezaj thekson se Kosova në vitet në vijim do të ketë disa sfida. Ndër më kryesoret, sipas tij, janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i sundimi të ligjit dhe shtrirja e autoritet në gjithë vendin.

“De facto, situata në veri nuk është e kënaqshme aspak, sepse sovraniteti dhe sundimi i ligjit nuk është i shtrirë deri në masën e duhur. Prandaj edhe mendoj se ajo situatë mund të quhet konflikt i ngrirë, do të vazhdojë edhe për një kohë. Detyrë e institucioneve të Kosovës është që ta menaxhojnë këtë situatë konfliktuoze në masën më të mirë të mundshme. Natyrisht që kjo do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Për të dialoguar dhe negociuar me Serbinë, ekipi kosovar duhet të jetë shumë i përgatitur”, thekson Murtezaj për Radion Evropa e Lirë .

Kurse, sa i takon çështje së veriut të Kosovës, Mushkolaj thotë se institucionet kosovare në këtë drejtim, për vite me radhë kanë dështuar:

“Në aspektin e shtrirjes së sovranitetit, respektivisht në aspektin e të qenët vërtet shtet, Kosova ka dështuar. Në veri të saj ka shumë probleme edhe me integrimin e gjithë qytetarëve të saj në strukturat e shoqërisë kosovare”.

Zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që janë të instaluar në Kosovë do të vazhdojnë të punojnë që të jenë sa më afër qytetarëve në veri, në mënyrë që edhe ata ta kuptojnë realitetin e ri të krijuar.

Kurse, sa i takon diplomacisë, profesori Murtezaj konsideron se Kosovës i nevojitet një lobim shumë më intensiv nga ajo që është parë deri më tash.

“Mendoj se po punohet në aspektin zyrtar, pra përmes institucioneve të Kosovës, ambasadave e etj. Mirëpo, sot në botën bashkëkohore dhe në kohë bashkëkohore, diplomacia moderne bëhet përmes diplomacisë publike, ekonomike dhe formave të tjera të tjera të diplomacisë. Në këtë drejtim Kosova duhet të bëjë shumë më shumë, që të angazhoje gjithë potencialin që ka brenda dhe jashtë Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë mund të shtrihet dhe të dëgjohet zëri i Kosovës nëpër botë”, shton Murtezaj.

Në aspektin e zhvillimit të brendshëm, sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, Kosova ballafaqohet me problemin e sundimit të rendit dhe ligjit, me shkallë të lartë të korrupsionit e krimit të organizuar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG