Ndërlidhjet

Emisari kinez takon Asadin


Presidenti i Sirisë, bashar al-Asad.
Presidenti i Sirisë, bashar al-Asad.
Zëvendësministri i Jashtëm kinez, Zhai Jun, ndodhet në Damask, ku edhe do të takojë presidentin sirian, Bashar al-Asad.

Kina i ka vënë veto rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila bënte thirrje për dorëheqjen e Asadit, ndërsa pak ditë më parë ka kundërshtuar edhe rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila, megjithatë, është miratuar.

Para arritjes në Siri, Zhai ka thënë se do të bëjë përpjekje për të luajtur një “rol pozitiv”.

“Do të takoj liderët sirianë dhe do të përpiqem të kontribuoj për gjetjen e një zgjidhjeje të duhur të krizës në Siri”, ka thënë Zhai.

Takimi i Zhait me Asadin vjen pas bisedimeve të së premtes në Paris, ku presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron, i kanë bërë thirrje opozitës siriane të bashkohet dhe të organizohet më mirë.

Ndërkohë, aktivistët kanë bërë të ditur se forcat e sigurisë kanë bombarduar sërish Homsin, epiqendrën e rezistencës kundër Asadit.

Siria është përfshirë nga protestat që bëjnë thirrje për rrëzimin e regjimit të presidentit Bashar al-Asad që në mars të vitit të kaluar. Nga ajo kohë, në trazira kanë humbur jetën mijëra njerëz.
XS
SM
MD
LG