Ndërlidhjet

logo-print

Bërns në Kosovë


Uilliam Bërns në Kosovë.

Uilliam Bërns në Kosovë.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Uilliem Bërns, qëndroi të shtunën për vizitë zyrtare në Kosovë, ku zhvilloi një varg takimesh me autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare. Aktualiteti politik dhe situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mësohet të kenë qenë në qendër të diskutimeve që Bërns pati me përfaqësuesit e lartë të institucioneve kosovare dhe mekanizmave ndërkombëtarë.

Në takimin me presidenten e Kosovës, diplomati amerikan thuhet se ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën “në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme”, duke thënë se SHBA-ja “nuk do të inkurajojë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e Kosovës”.

Vizita e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Bërns, vjen një ditë pas përvjetorit të katërt të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në një kohë kritike në aspektin politik, nëse merren parasysh zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe ato që kanë të bëjnë me raportet Prishtinë-Beograd.

Takimi Bërns- Jahjaga

Takimi Bërns- Jahjaga

Ditë më parë, serbët e pjesës veriore të Mitrovicës mbajtën një referendum për t’u shprehur pro apo kundër lejimit të shtirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në atë pjesë të vendit.

Ndërkohë, është paralajmëruar zhvillimi i raundit të ardhëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe shtetit serb, i cili kësaj radhe temë bosht do ta ketë bashkëpunimin rajonal.

Edhe ditëve të fundit është vërejtur një këmbëngulje në Serbi që në nismat rajonale Kosova të përfaqësohet në kuadër të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Prishtina zyrtare, ndërkaq, ka vazhduar kundërshtimin e kësaj ideje duke hedhur poshtë mundësinë që në përfaqësimin e saj të hiqet fjala “Republikë” dhe të shtohet një fusnotë ku do të qartësohej se nga sa vende është njohur deri më tani.

Një njoftim i zyrës për informim të Presidencës kosovare citon presidenten, Atifete Jahjaga, të ketë theksuar se zbatimi i Planit Ahtisari është “zgjidhja më e mirë për komunat në veri të Kosovës”.

Duke folur për raundin e ardhshëm të dialogut me palën serbe, Jahjaga mësohet të ketë thënë se “me propozimet për diskutim në raundin e ri të dialogut duhet pasur parasysh që të mos cenohet shtetësia e Kosovës'.

Jahjaga theksoi se, “Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë të angazhuara në dialog si dy subjekte të barabarta dhe të pavarura”.

Për një çështje tjetër, e cila gjatë vitit do të jetë në agjendën politike të Prishtinës zyrtare, thuhet se është diskutuar në takimin që zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Uilliem Bërns, zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Uilliem Bërns, dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Uilliem Bërns, dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell.

Një komunikatë e ekzekutivit të vendit citon Thaçin të ketë thënë se, “Viti 2012 është vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e rritjes së standardeve demokratike. Institucionet ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë kanë mbështetur fuqishëm agjendën që çon drejt kësaj përmbylljeje”.

Në kuadër të aktiviteteve diplomatike të zëvendëssekretarit amerikan i Shtetit, Bërns, hyn dhe nënshkrimi i së ashtuquajturës Marrëveshjes për Statusin e Forcave (MPSF) ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo marrëveshje thuhet se “siguron kornizën ligjore, brenda së cilës personeli civil i ushtrisë amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, e që nuk janë pjesë e misionit të NATOs, do të veprojnë në Kosovë”.

Gjatë ditës, Bërns u takua edhe me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, kreun e EULEX-it, Ksavier Dë Marnjak dhe komandantin e KFOR-it, Erhard Drevs. Në takimet e së shtunës ishin të pranishëm edhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofër Dell.
XS
SM
MD
LG