Ndërlidhjet

Propozim-ligji për mediat e huaja që ditë më parë kaloi fazën e parë të miratimit në Kuvend, ka nxitur debate të shumta, si nga partitë, ashtu edhe nga ekspertët e sferës së komunikimit.

Me këtë propozim-ligj, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ndryshohet ligji aktual nga koha e ish-sistemit komunist, ndërsa lejet e punës të korrespodenturave kalojnë në kompetencë të Ministrisë së Jashtme, e cila, ndan lejet e punës që do të jenë njëvjeçare, ndërsa kontrollon edhe respektimin e ligjit nga ana e tyre.

Sa i përket përmbajtjes së ligjit, janë dy çështje që kanë ngritur dilema e debate të shumta, si ndalesa e mediave të jashtme që të bëjnë anketa me qytetarë me qëllim mbledhjen e informacionit për një çështje të caktuar, si dhe e drejta e diskrecionit e ministrit nëse do të akreditojë ose jo ndonjë korrespondent të jashtëm.

Nga LSDM-ja thonë se ligji është censurues dhe, madje, më i keq se i tashmi.

“Ligji aktual që është nga koha e ish-Jugosllavisë, është më liberal apo ka nene më të mira se ky që tani po miraton Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Ky ligj që është në fuqi nuk ka ndalesa për anketimin e qytetarëve siç parasheh ligji që tani është në procedurë”, thotë Jani Makraduli nga Lidhja Social-Demokrate.

Nga opozita shqiptare thonë se edhe në leximin e dytë do ta kundërshtojnë formën e tashme të ligjit dhe do të propozojmë amendamente për të gjitha nenet e tij. Në veçanti, do të kundërshtohet neni që ndalon marrjen e anketave nga qytetarët, si dhe përsëritja për çdo vit e procedurës për marrjen e lejes.

“Sigurisht se në rast se nuk pranohen këto amendamente, atëherë kjo nënkupton se qëllimi final i Qeverisë është që të krijojë një censurë mediatike në Republikën e Maqedonisë dhe me këtë posaçërisht dëmtohen mediat nga Kosova dhe Shqipëria, pasi nuk do të kenë mundësinë që të raportojnë në mënyrë reale pasi censurohet aktiviteti i tyre në Maqedoni ”, thotë Izet Zeqiri, deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Partitë në pushtet mbeten në qëndrimet e prezantuara në leximin e parë, se ligji është në përputhje me standardet evropiane dhe se me të rregullohet jo vetëm statusi i shtëpive të ndryshme informative nga jashtë, por edhe i veprimtarive tjera filmike, si dhe mënyra e futjes dhe e shpërndarjes së botimeve të ndryshme.

Duke lexuar pjesë të propozim-ligjit, Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE, thotë se me variantin e propozuar në asnjë mënyrë nuk vihet censurë në punën e mediave të jashtme.

“Korrespondentët dhe korrespondenturat e përhershme dhe të përkohshme, kanë të drejtë që nga Republika e Maqedonisë t’i dërgojnë informata agjencive të tyre informative, përkatësisht botime periodike pa kurrfarë paraqitje apo leje”, thekson Nikollovski, por duke kapërcyer me këtë rast pikën 2 të nenit 18, në të cilën thuhet se “korrespondentët dhe korrespondenturat e përhershme dhe të përkohshme nuk guxojnë që përmes anketave të mbledhin informacione dhe mendime në Maqedoni”.

Pikërisht kjo pikë ka hapur edhe dilema në mesin e ekspertëve. Nazim Rashidi, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë:

“Këtu, e para, ka të bëjë me një të dispozitë ligjore, në të cilën thuhet se vetë ministri ka një të drejtë diskrecioni për të vendosur nëse ndonjë gazetar apo shtëpi të huaj do ta akreditojë në Maqedoni ose jo, që në vetvete është pak problematike, sepse nëse ka rregulla strikte apo rregulla të caktuara se si merret akreditimi, atëherë të gjithë do të duhet ta marrin këtë”.

Eksperti Rashidi kundërshton edhe ndalesën sa i përket anketave, që, sipas tij, është e paimagjinueshme në punën e mediave.

“ Kjo për punën e gazetarit është e paimagjinueshme, sepse gjithçka bëhet për njerëzit ose me opinionin e njerëzve, pasi ata janë kryesorët dhe pastaj vijnë të gjithë institucionet e tjera”, vlerëson Rashidi, duke ritheksuar nevojën që këto dy çështje të përcaktohen me qartë që në leximin e dytë të përmirësohet përmbajtja e ligjit pasi në të kundërtën miratimi i ligjit në formën e tashme, do të kishte pasoja, në veçanti ndaj mediave në gjuhën shqipe nga Kosova dhe Shqipëria që kanë filluar shtrirjen e tyre serioze në Maqedoni.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG