Ndërlidhjet

Letonia mban referendum për gjuhën


Vendvotim në Riga
Vendvotim në Riga
Në Letoni ka nisur referendumi që do të mund t’i jepte rusishtes statusin e gjuhës së dytë zyrtare në ish-republikën sovjetike. I nxitur nga një grup pro-rus, referendumi nuk pritet t’i japë përgjigje pozitive çështjes, marrë parasysh se një përpjekje e ngjashme është hedhur poshtë nga Parlamenti letonez, dhjetorin e kaluar.

Por, votimi i sotëm ka të ngjarë të thellojë ndarjet, tashmë të mprehta në vend, në lidhje me çështjen e gjuhës.

Rusët etnikë, të cilët u zhvendosën në Letoni gjatë epokës sovjetike, përbëjnë një të tretën e popullsisë dy-milionëshe të shtetit letonez. Mbështetësit e fushatës për gjuhën thonë se masa në fjalë është e nevojshme për t’i dhënë fund diskriminimit kundër rusisht-folësve.

Viktor Saltikov, anëtar i komunitetit rus, thotë:

“Në çdo rast, nëse rusishtja bëhet gjuhë zyrtare, rusët do të ndjeheshin më mirë dhe gjërat do të bëheshin më mirë, pa dyshim. Rusët nuk do të zhduken nga Letonia, pa marrë parasysh se sa njerëz e duan një gjë të tillë”.

Por, kundërshtarët e propozimit e shohin letonishten si simbol të pavarësisë së vendit. Ata thonë se me bërjen e rusishtes gjuhë të dytë zyrtare, rusisht-folësit do të inkurajoheshin në mbajtjen e një identiteti të veçantë dhe jo tek integrimet në shoqërinë letoneze.

“Letonia është vend i vogël. Ku tjetër mund ta flasin letonezët gjuhën e tyre? Marrë parasysh se pyetja në referendum është: A jeni në favor të një gjuhe tjetër shtetërore në Letoni? – unë mendoj se çdo qytetar që voton me “po” e di se për të rusishtja do të jetë e vetmja gjuhë, dhe jo e dyta pas letonishtes. Është e papranueshme për mua që njerëzit, të cilët jetojnë për 20, 30 vjet këtu, nuk janë në gjendje të flasin letonisht”, thotë Olegs Malçev, me kombësi ruse, por që kundërshton referendumin.

Rreth 1.2 milion njerëz në botë flasin letonisht, ndërsa rreth 120 milionë të tjerë përdorin gjuhën ruse.

Lëvizja e rusisht-folësve “Gjuha amtare” ka detyruar mbajtjen e referendumit me mbledhjen e nënshkrimeve të mbi 10 për qind të votuesve. Por, për të ndryshuar Kushtetutën, në favor duhet të votojnë mbi 770,000 njerëz, përkatësisht 50 për qind e elektoratit.

Çështja kryesore që ka nxitur aktivistët rusë është se kur shtetësia sovjetike është shpallur “e vdekur” pas pavarësisë, anëtarët e komunitetit rus nuk kanë marrë automatikisht pasaportat letoneze.

Ata është dashur të aplikojnë për nënshtetësi, çfarë nënkupton edhe kalimin e një testi të gjuhës.

Nëse nuk arrijnë të marrin nënshtetësinë, ata kanë dy zgjedhje: të mbesin pa nënshtetësi ose të marrin atë të Rusisë apo të ish-republikave të tjera sovjetike, si Bjellorusisë apo Ukrainës. Në secilin rast, ata nuk kanë të drejtë të votojnë në Letoni, edhe pse vazhdojnë të punojnë dhe të jetojnë atje.

Rreth 300,000 rusë të Letonisë janë sot në gjendje të tillë, çfarë thonë se i bën të ndjehen qytetarë të klasës së dytë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG