Ndërlidhjet

logo-print

Nuk zbehet dëshira për migrim


Prishtinë - foto arkiv.

Prishtinë - foto arkiv.

Edhe katër vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dëshira e kosovarëve për të migruar në vende të ndryshme të botës nuk është zbehur, thonë qytetarët kosovarë. Ata konsiderojnë se vitet e shtetësisë, nuk e kanë ndryshuar gjendjen socio- ekonomike në Kosovë.

Miloti Belegu, student në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se do të migronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u avancuar më tepër në profesionin e tij.

“Përmirësime ka diçka në sferat tjera, por për momentin, meqë unë ende jam në fakultet, universiteti ynë kushtet i ka minimale. Kosovën nuk e kisha lënë për krejt, por për t’u avancuar në aspektin profesional kisha shkuar në Kanada”, thotë Miloti.

Edhe Rita Rahmani, thotë se me dëshirë do të largohej nga Kosova për të jetuar në Angli:

“Nuk janë kushtet e mira për jetesë në Kosovë dhe kurrfarë rregullash nuk ka. Shteti si shtet nuk funksionon dhe përfundimisht do ta ndërroja vendin, do te shkoja në Londër për të jetuar përgjithmonë”.

I riu tjetër, Gazmend Krasniqi, punon në sektorin privat. Por, Gazmendi thotë se për një mirëqenie sociale, me dëshirë do ta braktiste Kosovën.

“E kisha braktisur Kosovën, pasi kushtet janë shumë të këqija për një jetë normale. Unë punoj në sektorin privat dhe kjo nuk është e sigurt. Pikërisht për këtë e kisha lënë vendin e punës, për të gjetur një jetë më të mirë. Ndërsa, do të kisha bërë përpjekje për të migruar në vendet skandinave”, pohon Krasniqi.

Agim Paca, njohës i çështjeve statistikore - juridike, konsideron se gjendja ekonomike paraqitet katalizatori dhe nxitësi kryesor që të rinj dhe familje të shumta të përcaktohen për një perspektivë dhe jetë normale në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.

“Pjesa dërmuese e këtyre që shkojnë janë kryesisht qytetarë, të cilët nuk kanë mundësi që të gjenerojnë mjete materiale dhe perspektivën e shohin ose te mbështetja në ndihma sociale, ose shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune, jashtë vendit dhe të sigurojnë ekzistencën për vete dhe familjet e tyre”, thekson Paca.

Por, ajo që mbetet shqetësuese në këtë drejtim, sipas profesorit Paca, është se qytetarët Kosovën e braktisin në mënyrë ilegale, pasi vendet e Bashkimit Evropian më nuk pranojnë azil-kërkues nga Kosova.

“Nëse nuk ka lëvizje të lirë, atëherë qytetarët zgjedhin edhe format alternative. Po të kishin mundësi që të qarkullojnë lirshëm nëpër Evropë, sigurisht se ato rrugë dhe ato alternativa të rrezikshme, jo të dëshirueshme, kishin mbetur anash dhe në mënyrë legale do të ishte udhëtuar për të kërkuar një perspektivë ekonomike”, sqaron Paca.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, më herët ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se shumë të rinj kosovarë vizitojnë këtë institucion, për t’u interesuar për mundësitë e migrimit në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian. Edhe pse, sipas tij, përpjekjet e qytetarëve kosovarë për të lëshuar vendin janë të kota, pasi, siç ka thënë Makolli, “vendet e Evropës nuk pranojnë më azilkërkues nga Kosova”.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG