Ndërlidhjet

logo-print

Lamtumirë Uitnit!

  • RFE /RL

Të shtunën mbrëma iu dha lamtumira e fundit yllit të pop-it, Uitni Hjuston.

Të shtunën mbrëma iu dha lamtumira e fundit yllit të pop-it, Uitni Hjuston.

Funerali i ikonës së popit, Uitni Hjuston, është zhvilluar të shtunën mbrëma për disa orë në një kishë të Nju Xhërsit. Rreth 1,500 njerëz ishin ftuar për të ndjekur shërbimin në kishën baptiste “Shpresa e Re”, ku Hjuston kishte kënduar si fëmijë.

Këngëtarja është gjetur e vdekur në vaskë në një hotel të Llos Anxhelosit, një ditë para ndarjes së çmimeve Grammy. Ajo ishte 48 vjeçe, ndërsa shkaku i vdekjes nuk dihet. Rezultatet e autopsisë mund të mos bëhen publike deri në tetë javë.

Hjuston ka arritur kulmin e famës me hitet botërore si: “I’m every woman” dhe “I will always love you”.

Ajo ka lënë pas një karrierë afro 30-vjeçare, ndërsa vitet e fundit ka vuajtur nga varësia me drogën.

Hjuston po ashtu ka luajtur në filmin “The Bodyguard” me fituesin e Oscar-it, Kevin Kostner.

Duke folur në funeral, Kostner e ka quajtur këngëtaren e ndjerë një talente të jashtëzakonshme, që këngën e filmit “I will always love you” e ka shndërruar në një hit botëror.

“Uitni, nëse do të mund të më dëgjoje, do të të thosha se nuk ishe vetëm mjaft e mirë, ishe madhështore. Ti ke kënduar gjithë atë dreq kënge pa një grup. Ti ke krijuar imazhin e asaj që ka qenë”, ka thënë Kostner.

I goditur dukshëm me ikjen e Uitnit, Kostner ka përfunduar eulogjinë e tij:

“E shoqëruar nga një ushtri engjëjsh për tek Ati Qiellor, kur të këndosh para tij, mos u tremb! Ti do të jesh shumë e mirë”.

Miq dhe kolegë kanë kënduar dhe folur në funeralin e Uitnit, përfshirë Alisia Kejs dhe Stivi Uonder, përderisa legjenda e muzikës, Areta Frenkllin, njëherësh mikeshë dhe nune e Hjustonit, është detyruar të braktisë funeralin për shkak të problemeve shëndetësore.

Autoritetet e Nju Xhërsit kanë vendosur të ulin flamurin amerikan në gjysmështizë anembanë shtetit, pavarësisht disa protestave që këngëtarja të marrë mirënjohjen më të mirë se ushtarët e Shteteve të Bashkuara që u vranë për vendin e tyre jashtë vendit.

Funerali është përcjellë nga një numër i madh fansash përmes ekraneve të ngritura jashtë kishës, ashtu si dhe nga shumë telespektatorë përmes transmetimeve të drejtpërdrejta.(v.t.)


XS
SM
MD
LG