Ndërlidhjet

Rritja ekonomike deri në 8 për qind, ulja e papunësisë, kalimi nga ekonomia joformale në atë formale dhe ruajtja e stabilitetit makrofiskal, janë disa nga prioritet e paraqitura në planin ekonomik, të quajtur “Vizioni i zhvillimit ekonomik të Kosovës për periudhën 2011-2014”, i miratuar në prill të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Sidoqoftë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ekspertë të ekonomisë, e quajnë të dështuar këtë plan, pasi, sipas tyre, deri më tani asnjë nga prioritetet e paraqitura në të, nuk janë zbatuar.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, thotë se vizoni i zhvillimit ekonomik, më shumë ka qenë një reaksion i Qeverisë ndaj kërkesave të shoqërisë, sesa një planifikim afatgjatë dhe i saktë.

“Po e marr për shembull, objektivin për rritje ekonomike vjetore prej 7 -8 për qind, e cila nuk ka rezultuar si e saktë, për shkak se vitin e kaluar ne kemi pasur një rritje vjetore, prej 5.5 për qind, kurse në këtë vit Qeveria e Kosovës, në bazë të marrëveshjes që e ka me Fondin Monetar Ndërkombëtar, nuk parasheh rritje më të madhe se 4 për qind”.
Edhe objektivi tjetër që të ulet papunësia deri në 10 për qind ulje vjetore, nuk ka rezultuar i saktë.

“Edhe objektivi tjetër që të ulet papunësia deri në 10 për qind ulje vjetore, nuk ka rezultuar i saktë. Ne ende nuk kemi të dhëna për numrin e saktë të papunësisë, por e dhëna e fundit mbetet ajo e vitit 2009, ku thuhet se papunësia në Kosovë arrin masën 47 për qind”, thotë Demi.

Demi tregon edhe prioritete tjera të përcaktuara në këtë plan, e që, sipas tij, kanë dështuar:

“Në këtë vizion, është paraparë që në tetor të vitit të kaluar, të përmbyllet procesi i privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, që në dhjetor 2011, të përmbyllet procesi i privatizimit të rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike, që në fillim të këtij viti të përmbyllet procesi ‘Kosova e Re’. Të gjitha këto kanë dështuar si pasojë e planifikimit jo të mirë të Qeverisë së Kosovës, për shkak se nuk i kanë bërë llogaritë si duhet”.

Edhe eksperti tjetër i rrethanave ekonomike, Ismail Kastrati, shprehet skeptik në përmbushjen e prioriteteve të paraqitura në vizionin e Zhvillimit Ekonomik.

“Qeveria duhet të jetë shumë më serioze, shumë më konsistente në atë që premton dhe për atë të sigurojë agregat të caktuar financiar; një politikë konsistente të zhvillimit makro-ekonomik dhe të zvogëlojë një papunësi të madhe, konkretisht të ketë trend më të madh të rritjes ekonomike”, konsideron Kastrati.

Në këtë plan, çështje tjera të adresuara janë edhe zhvillimi i projekteve kapitale, bashkëpunimi rajonal dhe evropian, përmirësimi i politikave fiskale, si dhe zhvillimi i tregut financiar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG