Ndërlidhjet

Pala serbe “e pasigurt” për vazhdimin e dialogut

  • RFE /RL

Pamje nga një prej takimeve të palëve në dialogun teknik Kosovë-Serbi në Bruksel.

Pamje nga një prej takimeve të palëve në dialogun teknik Kosovë-Serbi në Bruksel.

Ndonëse për javën që vjen është paralajmëruar zhvillimi i raundit të ardhshëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pala serbe ka paralajmëruar se vendimin për një gjë të tillë do ta marrë të hënën.

“Ne ofrojmë që përfaqësimi rajonal i Kosovës të bëhet nën Rezolutën 12 44 të OKB-së, ndërsa Prishtina do që aty të qëndrojë edhe vlerësimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Të hënën do të shqyrtojmë edhe një herë nëse ka afrim qëndrimesh. Nëse edhe ata, edhe ne qëndrojmë fuqishëm pas pikëpamjeve tona, nuk ka nevojë të takohemi”, ka thënë për mediat serbe Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale. Prishtina këmbëngul në përfaqësimin si shtet, Beogradi do 1244-shin e Kombeve të Bashkuara.

Zëdhënësja e kryediplomates evropiane, Maja Kocijançiq, ka thënë se dialogu do të vazhdojë më 21 shkurt, duke shfaqur shpresën për arritje të marrëveshjes.

“Përgatitjet për këtë takim janë zhvilluar një kohë të gjatë. Robert Kuper është takuar me Borisllav Stefanoviqin dhe Edita Tahirin. Shpresojmë se do të arrihet deri te marrëveshja”, ka thënë Kocijançiq për “Blic”.

Zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Kosovës është edhe njëri nga kushtet që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kosova kundërshton fuqishëm mundësinë që në përfaqësimin e saj të hiqet fjala “Republikë” dhe të shtohet një fusnotë ku do të qartësohej se nga sa vende është njohur deri më tani.

Bisedimet për çështje teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e evropianit Robert Kuper, kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe janë arritur disa marrëveshje, ndërkohë që Beogradi është kritikuar për moszbatimin e tyre si duhet në terren.(v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG