Ndërlidhjet

Maqedoni: Gjendja ekonomike, në fazë kritike


Ilustrim
Ilustrim
Maqedonia hyn në një fazë kritike, sa i përket gjendjes ekonomike, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë, duke fajësuar me këtë rast politikat shtetërore, të cilat janë fokusuar në investime jokapitale.

Vanco Uzunov nga Instituti për Studime Ekonomike, thotë se 700 milionë eurot e marra hua vetëm gjatë tre vjetëve të fundit, të cilat kryesisht u destinuan në investime kapitale, dukshëm kanë ndikuar në rënien e standardit jetësor.

“Në fakt nga këto mjete, asgjë kapitale nuk pamë të realizohet. Edhe ato pak projekte kapitale që kishin të bënin me reformat në arsim, si kopjuterizimi i procesit arsimor, në fakt, paraqesin projekte të vdekura”, thotë Uzunov.

Sipas tij, përderisa Maqedonia mbetet jashtë strukturave euroatlantike, zhvillimi i ekonomisë, në vend se të shënojë trend pozitiv, merr tatëpjetën.

“Qeveria shpenzon vetëm në ato pjesë për të blerë kohë më të gjatë për qeverisje dhe aspak nuk mban llogari se kreditë me norma të larta të interesit një ditë do të duhet t`i kthejnë qytetarët”, vlerëson Uzunov.

Ndërkohë, sipas ekspertit për çështje ekonomike, Visar Ademi, për politikat e gabuara të shtetit në fushën e ekonomisë, flet qartë edhe krijimi i hendekut gjithnjë e më të thellë mes të varfërve dhe të pasurve.
Qeveria nuk guxon të jetë lojtari kryesor aktiv në ekonomi.

“Qeveria nuk guxon të jetë lojtari kryesor aktiv në ekonomi. Tani për të ulur papunësinë dhe ngritur sadopak standardin jetësor, po e mbipopullon administratën shtetërore me shërbyes administratorë. Mundohet, gjithashtu, përmes ndërmarrjeve publike t’i bëjë konkurrencë sektorit privat, ndërkohë që ajo duhet të luajë rolin e një dore të padukshme, e cila do ta ndihmojë sektorin privat në ata sektorë që, si shtet, do të biem dakord se kanë rol strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit”, potencon Ademi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vladimir Peshëvski, vlerëson se Qeveria ka arritur ta mbajë stabile rritën ekonomike edhe në kushte të krizës ekonomike.

“Gjatë kësaj periudhe, për ne mbetet imperativ të ruhet stabiliteti ekonomik, duke u fokusuar në krijimin e kushteve për investitorët e huaj”, thekson Peshevski.

Ndryshe, ditë më parë ministri i Financave, Zoran Stavrevski, nuk iu përgjigj në formë të drejtpërdrejtë gazetarëve në pyetjen, se sa i madh mund të jetë rreziku për Maqedoninë, përderisa kreditë me norma të larta të interesit shfrytëzohen për investime jokapitale.

Stavrevski shkurt tha se Maqedonia iu përket vendeve me nivel më të ulët të borxheve krahasuar me vendet tjera të Evropës.
XS
SM
MD
LG