Ndërlidhjet

Observer: Greqia po shkatërrohet nga fanatikët


Protestat e 19 shkurtit në Athinë

Protestat e 19 shkurtit në Athinë

“Observer”

Demokracia e Greqisë po shkatërrohet. Jo nga ushtarët, proletariati ndërkombëtar apo xhihadi global, por nga burra dhe gra të moderuara që e shohin veten e tyre të imunizuar ndaj furisë ideologjike. Armiqtë e Greqisë janë të një lloji të ri, por jo më pak të frikshëm.

Në cilëndo rrugë, Greqia nuk mund të fitojë. “Ndihma” e Evropës nuk mund të kryejë funksionin e saj të parë për ta shpëtuar të vuajturin nga vuajtjet. Gjermanët, me ndihmën holandeze dhe finlandeze, po e shtyjnë Greqinë drejt vdekjes shpirtërore.

Bashkimi Evropian kërkon që Greqia të shkurtojë 150,000 vende publike të punës brenda tre vjetësh. Politikanët grekë duhet gjithashtu të pranojnë pa fjalë 22 për qind shkurtime në pagat minimale, si dhe reduktime të tjera në mirëqenien e shtetit.

Greqia është në recesion të përhershëm. Ekonomia e saj u tkurr për 7 për qind në tre muajt e fundit të 2011-s. Dhjetëra-mijëra biznese familjare kanë falimentuar. Evropa është ofruar ta ringjallë Greqinë nga varfëria, duke e dëmtuar atë. Ashtu siç ka thënë senatori i Perandorisë Romake, Takitus: “Ata bëjnë një shkretëtirë dhe e quajnë paqe”.

Nëse shoqëria greke do të mund t’i bëjë ballë presionit, mbetet çështje e hapur. Sipas gazetës, çdo ekspert financiar e kupton se ekonomia e Greqisë nuk mund të rimëkëmbet. “Ndihma” do ta shtyjë atë në baltë.

Kushtet e BE-së nuk harmonizohen me humanizmin që kanë treguar Shtetet e Bashkuara për gjermanët e mposhtur pas vitit 1945. Amerika ka garantuar sigurinë e tyre, pastaj u ka dhënë ndihmë nga Plani i Marshallit, çfarë ka mundësuar nisjen e zhvillimit ekonomik të Gjermanisë Perëndimore.

Greqia nuk ka pushtuar askënd dhe nuk ka kryer krime kundër njerëzimit. Por, BE-ja, e cila mburret me solidaritetin si parim të saj themelues, po e shtyn atë në varfëri dhe në kaos.

Nëse Greqia lë euron, mund të goditet nga inflacioni. Sistemi bankar evropian mund të përmbyset. Siç ka thënë sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, “euro është një ndërtesë që digjet, pa ndonjë dalje”.

Bashkimi valutor është një fatkeqësi. Për të marrë shembullin më diskreditues, Gjermania dhe Holanda kanë përfituar shumë nga monedha e vetme duke mbajtur poshtë kursin e këmbimit për mallrat e tyre dhe duke vendosur barriera efektive të tarifave në Evropën jugore.

Gjermania këmbëngul se kriza greke është rezultat i korrupsionit në jetën publike greke. Politika greke padyshim se është e korruptuar, por korrupsioni grek nuk mund të shpjegojë përse Portugalia është në krizë, ashtu siç nuk mund të shpjegojë korrupsioni italian përse Irlanda dhe Spanja janë në krizë. Të pesë vendet po vuajnë sepse euro është një gabim monumental. Së shpejti mund të vuajë edhe Franca.

Në vend se ta rregullojnë atë, udhëheqësit evropianë sulmojnë mirëqenien e shteteve. Përderisa varfëria thellohet dhe protestat përhapen, imazhi i Bashkimit Evropian do të ndryshojë dhe jo për të mirë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG