Ndërlidhjet

logo-print

Beogradi konfirmon rinisjen e dialogut të martën


Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq - foto arkivi.

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq - foto arkivi.

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka konfirmuar se ekipi i Beogradit do të ndodhet më 21 shkurt në Bruksel, për vazhdimin e dialogut.

Ai ka thënë se është i gatshëm të punojë për gjetjen e zgjidhjes sa i përket përfaqësimit rajonal të Kosovës, duke pasur parasysh, siç është shprehur, “ekskluzivisht Rezolutën 1244, Kushtetutën e Serbisë dhe interesin kombëtar”.

“Mund të konfirmoj zyrtarisht se ekipi ynë negociues do të shkojë në Bruksel të martën, më 21 shkurt, për vazhdimin e dialogut me Prishtinën”, ka thënë Stefanoviq për mediat në Beograd.

Ai ka deklaruar se pason “një proces i trazuar negociator”, për të cilin ka shfaqur shpresën se do të rezultojë me zgjidhje pozitive, që do të çonte deri te “përfaqësimi adekuat” i Prishtinës në nismat rajonale, si dhe “do të mundësonte vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë”.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të dielën për Radion Evropa e Lirë se Kosova, në bashkëpunimin rajonal, do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Mosmarrëveshjet rreth përfaqësimit rajonal të Prishtinës, që buronin nga insistimi i Kosovës në shtetësi dhe i Serbisë në Rezolutën 1244, kanë shkaktuar ndërprerjen e dialogut teknik mes dy palëve.

Zgjidhja për këtë çështje mbetet kusht për Serbinë, për të fituar përgjigje pozitive rreth statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG