Ndërlidhjet

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se paraqitja e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale përmes një fusnote ku do të merrej parasysh deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së shtetësisë dhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit do të krijojë mundësinë që pala kosovare dhe ajo serbe të jenë në gjendje të ulen në një tryezë për të nënshkruar të njëjtin dokument-bashkë me vendet e tjera të rajonit.

Megjithatë, hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, tha se rreziku i modelit të fundit për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale ekziston kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë e tij.

Ai theksoi se problemi qëndron kryesisht te qasja e ardhshme e pesë shteteve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ekziston rreziku që Greqia, Qiproja dhe Rumania të vazhdojnë me avazin e vjetër të bllokimit, por kjo do të shihet në muajt dhe në vitet në vazhdim”, tha Rashiti për të shtuar se është i nevojshëm një angazhim më i madh në Bashkimin Evropian për gjetjen e një mënyre përmes së cilës do të përshpejtohej integrimi evropian i Kosovës.

Deri të dielën, Prishtina zyrtare pat insistuar që në nismat rajonale të përfaqësohet si shtet sovran duke hedhur poshtë mundësinë që rezoluta 1244 të merret parasysh në këtë drejtim. Beogradi, ndërkaq, u pat deklaruar kundër çdo marrëveshjeje për bashkëpunimin rajonal, me të cilën Kosova do të përfaqësohej në rajon jashtë kësaj rezolute.

Analisti, Halil Matoshi, tha se 1244-shi është një fakt juridik i cili mund të ndryshohet vetëm në Kombet e Bashkuara.

Kosova, rrjedhimisht, nuk ka pasur mundësi tjetër përveç se ta pranojë atë.

Rezoluta 1244 është ende në fuqi sipas Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Tejkalimi i saj bëhet vetëm me funksionalizimin e shtetit dhe jo duke shikuar se si kush po na quan dhe se kush sa po i jep rëndësi kësaj rezolute”, u shpreh Matoshi.

Pas pranimit të autoriteteve kosovare që në fusnotë me të cilën do të përfaqësohet Kosova në nismat rajonale të figurojë rezoluta 1244 e OKB-së, Serbia konfirmoi vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët rreth kësaj çështje ishte parakusht për vazhdimin e këtij dialogu, i cili këtë javë pritet të hyjë në raundin e nëntë.
XS
SM
MD
LG