Ndërlidhjet

Arrihet marrëveshja për Greqinë


Athinë
Athinë
Ministrat e Financave të Eurozonës kanë arritur marrëveshje për të ndihmuar Greqinë nga falimentimi, me një paketë në vlerë prej 130 miliardë eurosh.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i euro-grupit, Zhan Klod Xhanker.

“Pas një takimi prej të paktën 13 ose 14 orësh, kemi arritur një marrëveshje për programin e ri të Greqisë, me përfshirjen edhe të sektorit privat, që do të çojë në një reduktim të rëndësishëm të borxhit për Greqinë”, ka thënë Xhanker.

Sipas njoftimeve, marrëveshja ka për qëllim të sjellë borxhin e Greqisë në 120.5 për qind të bruto prodhimit vendor deri në vitin 2020.

Diplomatët në Bruksel kanë thënë se duhet punuar ende për detajet e marrëveshjes, pas një maratonë negociatash.

Greqia ka nevojë të jashtëzakonshme për paketën e ndihmës për të shpëtuar nga falimentimi që do të mund të pësonte muajin e ardhshëm.

Pas pesë vjetësh në recesion, Greqia ka borxhin më të madh se 160 për qind e bruto prodhimit të brendshëm.

Parlamenti grek ka miratuar një sërë masash shtrënguese në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh, së bashku me reformat që synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë, si parakusht për marrjen e ndihmës.

Masat e miratuara kanë shkaktuar pakënaqësi të thella në Greqi, që kanë rezultuar edhe me protesta të dhunshme.
XS
SM
MD
LG