Ndërlidhjet

Rikthimi në bisedime

  • RFE /RL

Flamuri i BE-së

Flamuri i BE-së

Raundi i ri i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i pari për këtë vit që është dashur të zhvillohej të martën është shtyrë për të filluar të mërkurën në mëngjes.

Kështu kanë konfirmuar vonë në mbrëmje burime të Bashkimit Evropian, duke thënë se arsyeja pse nuk është nisur të martën ky raund i dialogut është anulimi i fluturimit me të cilin nga Vjena është dashur të vijë delegacioni Kosovës.

Në BE kanë konfirmuar se të mërkurën në orën nëntë e tridhjetë të mëngjesit pritet të nisë ky raund i dialogut.

Bashkimi Evropian dhe zyrtarët e angazhuar në përgatitjen dhe lehtësimin e dialogut kanë thënë se arsyet e mosfillimit të dialogut gjatë ditës së martë janë të natyrës teknike dhe nuk dëshirojnë të spekulojnë për ndonjë prapavijë të mundshme të shtyrjes së nisjes së dialogut.

Megjithatë, ata pohojnë se është paksa e çuditshme se ka ardhur deri te kjo situatë, pasi që dita dhe ora e nisjes së dialogut janë ditur që në javën e kaluar.

Sido që të jetë, në BE pohojnë se presin që gjatë ditës së mërkurë të arrihet përparim në të dyja pikat e agjendës, e ato janë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, si dhe arritja e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal.

Sa i përket marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, sipas burimeve të BE-së, në Bruksel tashmë kanë biseduar grupet punuese nga të dyja palët dhe janë shumë afër për të arritur marrëveshje rreth zbatimit të planeve operative për zbatim të kësaj marrëveshjeje.

Në anën tjetër, çështja e bashkëpunimit rajonal, që është më saktësisht mënyra se si do të marrë pjesë Kosova në takimet rajonale, duke paksa më e ndjeshme për të dyja palët.

Burimet e BE-së kanë pranuar se tashmë është pothuajse e sigurt se palët janë pajtuar që Kosova të paraqitet me një fusnotë, e cila do të shpjegojë se do të merren parasysh edhe rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, siç ka kërkuar Serbia, por edhe të ketë referencë në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pohimet e Kosovës se do të përmendet edhe deklarata e pavarësisë së Kosovës, nga ana e BE-së nuk janë pranuar, por as nuk janë kundërshtuar, prandaj pritet që edhe rreth kësaj gjatë ditës së mërkurë të ketë bisedime në këtë dialog.

Zyrtarët e BE-së, edhe gjatë ditës së martë, përkundër shtyrjeve që kanë ndodhur, janë shprehur optimistë, por kanë thënë se asgjë nuk është e sigurt.

Sidoqoftë, gjatë ditës së mërkurë, thonë se presin qasje konstruktive nga të dy delegacionet.
XS
SM
MD
LG