Ndërlidhjet

Në Maqedoni, partitë politike në opozitë vlerësojnë se vizita e të dërguarit special të OKB Metju Nimic, për zgjidhjen e kontestit të emrit, nuk shënon asnjë progres që do të çonte kah një zgjidhje e pranueshme për të dy palët e përfshira në kontest, Maqedoninë dhe Greqinë.

LSDM vlerëson se pos krijimit të iluzionit se Maqedonia mbetet e angazhuar për zgjidhjen e kontestit, asgjë konkrete nuk realizohet.

Goran Georgiev, nënkryetar i kësaj partie maqedonase në opozitë thotë se edhe kjo vizitë e ndërmjetësuesit Nimic do të shfrytëzohet për konsum të brendshëm, gjegjësisht për t`u justifikuar qeveria për bllokimin e procesit integrues të vendit

Edhe nga kjo vizitë, pavarësisht se ambasadori Nimic nuk kishte ardhur në Maqedoni pothuajse dy vjet, nuk solli asgjë të re, asgjë konkrete sa i përket zgjidhjes së kontestit, sepse duket qartë se asnjëra palë në këtë proces nuk reflekton vullnet për t’u zgjidhur çështja. Por, duket qartazi se këtë do e shfrytëzojë qeveria maqedonase për t’u arsyetuar pse Maqedonia mbetet jashtë dyerve të BE dhe NATOS”, shprehet Georgiev.

Edhe partia shqiptare në opozitë, Partia Demokratike Shqiptare, konsideron se fakti që ndërmjetësuesi Nimic erdhi pa propozim konkret, dëshmon se zgjidhja mbetet shumë larg.

Nuk më habit fakti se sa herë që vjen zoti Nimic në Maqedoni përsërit të njëjtin refren. Kjo ndodh për një arsye, sepse ai nuk sheh te palët disponim për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje. Dhe bëhet e lodhshme të diskutohet për çështje të tjera në Maqedoni, përderisa nuk ka vullnet të zgjidhet ajo që është më esenciale, zgjidhja e emrit dhe hapja e rrugës së procesit të integrimit”, thotë deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Zijadin Sela.

Por, analistët vlerësojnë se një dozë optimizmi mund të llogaritet në faktin se ndërmjetësuesi i OKB-së Metju Nimic, kishte qëndrim të qartë se në të gjitha format e mundshme të cilat mund të llogariten si rrugë të cilat mund të çojnë kah një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, është ajo se ai qartësoi se nuk preket çështja e identitetit maqedonas.

Mendoj kështu sepse në një temë tejet të ndjeshme siç është çështja e emrit edhe nervozizmi më i vogël mund të shënojë regres në procesin e negociatave. Qartësimi se nuk preket çështja e identitetit lë hapësirë për optimizëm se procesi i negociatave mund të zhvillohet me një dinamikë më të përshpejtuar”, vlerëson ish ambasadori Dimitar Mircev.

Ndryshe, të hënën, autoritetet zyrtare të vendit para ndërmjetësuesit të OKB kanë përsëritur qëndrimin që Athina të respektojë vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila, siç thuhet, ka konfirmuar pozicionin e drejt të palës maqedonase sa i përket raporteve mes dy vendeve dhe integrimit në strukturat euroatlantike, në bazë të marrëveshjes së përkohshme mes dy vendeve.

Zyrtarët e vendit gjithashtu kanë kërkuar që Maqedonia në Samitin e NATO-së në Çikago të mos pengohet në anëtarësimi i saj me emrin e përkohshëm IRJM.
XS
SM
MD
LG