Ndërlidhjet

Reshjet e borës - uji i kontaminuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë e kanë burimin nga kualiteti i dobët i ujit, thonë zyrtarët shëndetësorë.

Sipas tyre, 30 për qind e qytetarëve nuk janë të lidhur me ujësjellësin publik, pra, me ujin i cili është i kontrolluar në mënyrë ligjore.

Dhe si pasojë e të reshurave të shumta të borës, në viset rurale, 70 për qind e ujit është e kontaminuar në aspektin bakteror.

“Në bazë të të dhënave prej mostrave që i kemi marrë prej regjioneve rurale, nga puset, 70 për qind e ujit është i kontaminuar në aspektin bakteror, dhe 30 për qind në aspektin kimik. Dhe mund të themi se ky ujë është i papijshëm”, thotë epidemiologja Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Sabit Bajqinovci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket furnizimit qendror me ujë të pijshëm, në gjithë Kosovën gjendja është nën kontroll, dhe uji është i pijshëm.

Objektet e furnizimit qendror me ujë të pijes, në gjithë Kosovën kontrollohen edhe në aspektin bakteriologjik edhe kimik. Uji është nën kontroll të plotë, nuk ka indikacione që flasin për kontaminim. Uji është i pijshëm dhe i sigurt”, bën të ditur ai.

Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, pohojnë se vetëm 4 për qind e fshatrave, janë të kyçura në ujësjellësin që furnizon sot Kosovën me ujë të pijes, çfarë konsiderohet se është përqindje shumë e vogël.

Derisa Burbuqe Nushi pohon se rrezikshmëria për t’u përhapur ndonjë epidemi nga pirja e ujit ekziston vetëm në pjesët rurale, meqenëse në atë pjesë qytetarët furnizohen me ujë, kryesisht nga puset e hapura.

Në pjesët rurale analizat e ujit bëhen në bazë të frekuencave të akorduara me kërkesa të dala prej udhëzuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, shprehet ajo.

Zoti Bajqinovci thotë se në vendet rurale, banorëve të këtyre zonave u janë dhënë udhëzimet e duhura, nëse vjen deri te vërshimet më të mëdha, si pasojë e shkrirjes së borës.

E Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tashmë ka pohuar se çështja e kualitetit të ujit të pijes ka zënë vend edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku gjendja vlerësohet të mos jetë e kënaqshme, edhe përkundër angazhimeve që janë bërë në këtë drejtim.

Sidoqoftë, Bashkësia Evropiane, në bashkëpunim me institucionet vendore, është duke kontribuar që deri në vitin 2020, të mos mbetet asnjë vendbanim në Kosovë pa u furnizuar me ujë higjenik për pije.
XS
SM
MD
LG