Ndërlidhjet

logo-print

Liberalizimi s'është shpërblim


Pasaporta e Kosovës

Pasaporta e Kosovës


Në janarin e këtij viti Kosovës, më në fund, iu dha “çelësi” për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Ajo që e solli atë në Prishtinë ishte Komisionerja për punë të brendshme e Komisionit Evropian, Sesilia Malmstrom.

Ajo kumtoi lajmin për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian duke ua bërë sërish të qartë autoriteteve vendore rëndësinë për përmbushjen e kritereve të nevojshme deri në marrjen e një udhërrëfyesi zyrtar.

Malmstrom theksoi po ashtu rëndësinë që procesi i liberalizimit të vizave, si proces teknik, të mos ndërlidhet me procesin e dialogut po ashtu “teknik” Prishtinë-Beograd.

Por, nëse krahasohen deklaratat e tilla të diplomatëve evropianë me ato të zyrtarëve në Kosovë, shpërputhja nuk mund të mos jetë e dukshme.

Derisa në Prishtinë thonë se “përshpejtimi i agjendës evropiane” i është premtuar palës kosovare “si shpërblim” për konstruktivitetin e treguar në dialog me palën serbe, në Bruksel mbetet e theksuar ndarja në mes të dy proceseve në fjalë.

Por, një situatë ndryshe është me shtetin e Serbisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar këshilli i ministrave të BE-së nënvizoi se hapja e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në këtë mekanizëm do të merrej parasysh “në momentin kur Komisioni Evropian të ketë vlerësuar se Serbia ka arritur shkallën e nevojshme të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, veçanërisht prioritetin kyç për ndërmarrjen e hapave të dukshëm dhe zhvillimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën...”.

Pikërisht me qëllim të përmirësimit të raporteve ndërmjet Prishtinës e Beogradit ishte dizajnuar dhe kishte nisur, në mars të vitit të kaluar, dialogu për “çështje teknike”.

Në fazën aktuale të tij, kur angazhimet e tri palëve të përfshira Kosovë-Bashkim Evropian-Serbi janë të përqendruara në gjetjen e një zgjidhjeje për bashkëpunimin rajonal, janë shtuar presionet ndërkombëtare mbi qeveritë e të dyja vendeve.

Analistët ndërkombëtarë thonë se ka një interesim në Bashkimin Evropian- veçanërisht në radhët e atyre shteteve të cilat nuk janë edhe aq të palumtura pse Serbia ende nuk e ka statusin e vendit kandidat, për të arritur sa më parë që të jetë e mundshme rezultate në këtë dialog.

Pa paragjykuar modelin përfundimtar të marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, ai mbase do të formulohet në formën që do t’i mundësojë Serbisë të hedh një hap përpara në integrimin evropian, ndërsa Kosova do të vazhdonte të “shpresonte” për marrjen e udhërrëfyesit për viza.

Por, liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë fare me procesin e anëtarësimit në BE.


Vizat vs integrimit evropian

Duke u bazuar në parimet e “acquis communautaire”, për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE ishte krijuar procesi i stabilizim-asociimit. Marrëveshje për stabilizim-asociim me BE-në janë nënshkruar tashmë nga të gjitha vendet e rajonit (të cilat kanë avancuar më tej dhe gjinden në faza të ndryshme të integrimit evropian), përveç Kosovës.

Kosova, pavarësinë e së cilës nuk e njohin ende pesë shtete evropiane, nuk ka rrjedhimisht fare marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Vënien e marrëdhënieve të tilla Kosova shpreson ta marrë pas përqafimit të idesë dhe jetësimit të planit të Beogradit që, në forumet rajonale, Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku do të figurojë edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kosova synon të përfitojë marrëdhënie kontraktuale dhe një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave nga një proces, për të cilin nuk janë të paktë ata që thonë se asnjëherë s’ka qenë vetëm teknik.

E këtu duhet kujtuar “loja me karota”- pjesë e terminologjisë së përdorur në korridoret dhe zyrat e BE-së në Bruksel.

E pse s’mund të ketë “karotë evropiane” për Kosovën në muajin e ardhshëm?

Shkalla e ende e lartë e korrupsionit, krimi i organizuar, administrata e pareformuar publike, mungesa e duhur e menaxhimit të kufijve (me theks te veriu i Kosovës), mungesa e dokumenteve të udhëtimit në përputhje me standardet evropiane, e sidomos numri ende i madh i azilkërkuesve kosovarë në shtetet evropiane, mjaftojnë të përmenden për të parë se ku qëndron Kosova në rrugën e integrimit evropian.

Në këto kushte ekonomike që ka vendi, qytetari kosovar edhe ashtu nuk do të mund ta jetësojë lëvizjen e lirë edhe nëse Kosova hyn në Listën e Bardhë nesër.

Andaj, investimet në fushat që sjellin zhvillim ekonomik janë esenciale nëse institucionet dëshirojnë që qytetarët të përfitojnë nga ky proces. Ky nuk është proces i fjalëve dhe i retorikës deklarative, por i punës së zellshme dhe zbatimit te kritereve-me fokus të veçantë te luftimi i ashpër i fenomeneve negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Në anën tjetër, ka tendenca nga qeveria e Kosovës për ta shitur një produkt ende të pafituar si “arritje” dhe “shpërblim” për vullnetin e treguar në dialogun me Beogradin zyrtar.

Me apo pa “shpërblimin” e liberalizimit të vizave, Kosova mbetet e fundit në rajon...
Në vitin 2009, Komisioni Evropian kishte hequr vizat për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërkaq në fund të 2010 vizat për në shtetet evropiane u liberalizuan edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjës.

Regjimi i vizave do të duhej qysh moti të hiqej për Kosovën, meqë në fushat ku Kosova po shënon ngecje, ngecjet që Komisioni Evropian i ka parasysh, vendet e rajonit nuk është se janë ndonjë shembull për të ndjekur verbërisht.

Fundja, nëse ka mangësi në sundimin e ligjit, përkrah institucioneve vendore, si “bashkëfajtorë” janë edhe misionet evropiane, të cilat do të duhej të sillnin rezultate pikërisht në këtë fushë.

Llogaritë duhet t’i paguajnë të gjithë, pavarësisht se kush i ka bërë “dëmet”.


*Autorja është korrespondente e Radios Evropa e Lirë. Qëndrimet në këtë artikull nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë.
XS
SM
MD
LG