Ndërlidhjet

logo-print

Viktima dhe përpjekje diplomatike për Sirinë

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Aktivistët thonë se forcat siriane të sigurisë kanë vrarë rreth 100 persona në dhunën e fundit - përfshirë 40 në qytetin e rrethuar të Homsit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy gazetarë perëndimorë, të cilët pësuan kur sulmi me predha qëlloi qendrën e improvizuar të mediave në Homs.

Bëhet fjalë për Mari Kolvin, amerikane që punonte për gaztën londineze “Sunday Times”, dhe fotoreporterin francez, Remi Ohlik.

Përleshjet e fundit vijnë në kohën kur Kryqi i Kuq po bën përpjekje të negociojë armëpushimin ditor, me qëllim që të furnizojë me ndihma qytetarët e Homsit.

Xhejkob Kellenberger, presidenti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, tha se armëpushimi duhet të zgjasë dy orë në ditë për t’i mundësuar stafit të organizatës dhe vullnetarëve të Gjysmëhënës së Kuqe të arrijnë në vendet e prekura.

Uashingtoni, ndërkohë, ka refuzuar të përjashtojë përfundimisht furnizimin me armë për rebelët, në përpjekje për të rrëzuar presidentin Bashar al-Asad.

Nuk besojmë se ka kuptim të kontribuojmë në militarizimin e mëtejshëm të Sirisë. Ajo çfarë nuk duam të shohim, është dhuna në rritje. Por, nëse nuk mund ta largojmë Asadin me presion, ne mund të konsiderojmë masa shtesë”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nullënd.

Në Kombet e Bashkuara, sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-mun, ka thënë se është në kërkim të një kandidati që do ta emëronte si koordinator humanitar për Sirinë, roli i të cilit do të mund të evoluonte edhe në gjetjen e zgjidhjes politike të konfliktit.

Fuqitë perëndimore dhe arabe, të cilat hapur kërkojnë largimin e Asadit, po përgatiten për një konferencë ndërkombëtare në Tunizi, më 24 shkurt.

Rusia ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin e “Miqve të Sirisë”, pasi, siç ka thënë, aty nuk do të përfaqësohet Qeveria siriane.

Rusia do që anëtarët e komunitetit ndërkombëtar të veprojnë si miq të të gjithë popullit sirian, jo vetëm të një pjese të tij”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksander Llukasheviç.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se takimi në Tunizi do të tregojë se sa i izoluar është Damasku.

Ky është një proces sfidues, por më së shumti për popullin e Sirisë, i cili çdo ditë jeton me pasojat e këtij operacioni brutal. Ne do t’i dërgojmë një mesazh të qartë Rusisë, Kinës dhe atyre që janë të pasigurt në atë se si do të duhej të trajtohej dhuna në rritje dhe deri më tash kanë bërë zgjidhje të gabuara”, ka thënë Klinton.

Rusia dhe Kina u kanë vënë veto dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat dënojnë Damaskun për represionin që, sipas shifrave të OKB-së, ka lënë të paktën 5,000 të vdekur.

Pjesa më e madhe e opozitës së Asadit vjen nga shumica sunite, ndërkohë që mbështetjen e ka nga minoritetet, si ato të sektit të tij Alavit. (v.t.)
XS
SM
MD
LG