Ndërlidhjet

Dialogu vazhdon të enjten, BE flet për afrim qëndrimesh

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Dita e parë e raundit të dialogut mes Kosovës e Serbisë, që është i pari për këtë vit, ka përfunduar pa arritjen e marrëveshjeve.

Bisedimet vazhdojnë të enjten, ndërsa burimet e BE-së kanë bërë me dije, se takimi i së mërkurës ka zgjatur gjatë gjithë ditës.

Sipas këtyre burimeve, palët janë afruar shumë në qëndrime rreth dy pikave, që kanë qenë në agjendë- zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe për marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal, konkretisht se si do të marrë pjesë Kosova në takimet rajonale.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se takimi ka qenë në një atmosferë pozitive dhe se palët kanë pasur qasje konstruktive.

“Kemi arritur shumë, por kanë mbetur shumë gjëra për t’i diskutuar dhe ato do të vazhdojnë nesër”, ka thënë një zyrtar i BE-së.

Delegacioni i Kosovës dhe shefja e tij, Edita Tahiri, kanë heshtur para mediave dhe nuk kanë dhënë asnjë deklaratë, as para, e as pas nisjes së takimit.

Qysh para nisjes së delegacionit kosovar në Bruksel, ka qenë e diskutueshme çështja e fusnotës, që do të përdoret për ta përfaqësuar Kosovën në nismat rajonale.

Pala kosovare është pajtuar që të shkojë me formulën e përmendjes së Rezolutës 12 44, Deklaratës së GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë. Por, Beogradi zyrtar, ndërsa pajtohet me dy të parat, hedh poshtë përmendjen e Deklaratës së Pavarësisë në fusnotë.

Ndryshe ka qenë pikërisht mospajtimi për bashkëpunimin rajonal, ai që ka bërë që bisedimet të ndërpriten në fund të vitit të kaluar.

Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së ka filluar në marsin e vitit të kaluar, gjatë të cilit janë arritur disa marrëveshje, por ende lë për të dëshiruar zbatimi i tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG