Ndërlidhjet

Gruaja e Toni Blerit padit kompaninë e Mërdokut


Drejtuesi i News International, Rupert Mërdok

Drejtuesi i News International, Rupert Mërdok

Gruaja e ish-kryeministrit Toni Bler po e padit gazetën britanike të kompanisë së Rupert Mërdokut, në lidhje me skandalin e përgjimit të telefonave, ka thënë një avokat i saj.

Agjencia Associated Press, duke cituar avokatin Graham Atkins, njoftoi se “Sheri Bler po e padit kompaninë në lidhje me përgjimin e paligjshëm të mesazheve me zë të saj”.

Sheri Bler bëhet kështu personi i parë i profilit më të lartë, që sfidon kompaninë e Mërdokut, News International në lidhje me përgjimet që u janë bërë politikanëve, personave nga fusha e artit, sportistëve dhe të tjerëve.

Nuk janë bërë publike detajet e pretendimeve të zonjës Bler.

Avokati ka thënë se nuk do të bëjë komente tjera në lidhje me rastin.

Mërdokut nuk i qe lënë tjetër zgjidhje, pos ta mbyllte tabloidin News of the World në muajin korrik, pas gjetjeve se gazeta kishte përgjuar një telefon të një nxënëseje të zhdukur, e cila më vonë u gjet e vdekur.

Që nga atëherë, policia ka arrestuar rreth 40 persona-përfshirë këtu edhe gazetarë të famshëm-në lidhje me dyshimet se u kanë dhënë mito zyrtarëve publikë për përgjimin e e-mailave.

Deri më tash kompania e Mërdokut u ka paguar miliona dollarë rreth 60 viktimave në marrëveshjet që janë bërë jashtë gjykatave.
XS
SM
MD
LG