Ndërlidhjet

(S')dihet ende për zgjedhjet serbe në Kosovë


Një banor serb i veriut të Mitrovicës duke votuar/ foto nga arkivi

Një banor serb i veriut të Mitrovicës duke votuar/ foto nga arkivi


Citimet që disa media serbe i kanë bërë, të kryetares së Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, se “nuk do të shpallen zgjedhjet lokale serbe në veri të Kosovës”, si dhe demanti i këtyre citimeve nga ajo, duke thënë se shpallja ose jo e këtyre zgjedhjeve do të jetë “ realizim delikat i këtij vendimi”, kanë nxitur reagimet e politikanëve të qeverisë serbe dhe jashtë saj.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën, i Qeverisë së Serbisë, ka shprehur, siç ka thënë ai, mendim të përafërt me zonjën Gjukiq-Dejanoviq, duke theksuar se ende nuk dihet nëse do të shpallen zgjedhjet lokale të shtetit serb edhe në Kosovë, dhe se për këtë do të ketë një vendim politik.

Për diçka të tillë, do të sillet një vendim politik, i cili do të marrë parasysh të gjitha; mjedisin politik, kushtet teknike për mbajtjen e zgjedhjeve, por edhe obligimet e caktuara që i kemi ndaj dokumenteve ndërkombëtare. Por kjo nuk nënkupton ende as po e as jo. Do të presim, sepse për këtë ka ende kohë. Ky do të jetë vendim politik dhe ai do të merret”, u shpreh Ivanoviq.

Megjithatë, Ivanoviq nuk ka dashur ta komentojë fare faktin që në Kushtetutën e Serbisë, Kosova ende figuron si pjesë konstituive e shtetit serb, gjë që, sipas politikës së deritashme zyrtare serbe, një gjë e tillë e obligon shtetin serb që t’i shpallë zgjedhjet edhe në Kosovë.

Serbia ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, por vetëm administrimin e saj, përmes rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë, është në kundërshtim edhe me rezolutën 12 44, në të cilën thirret edhe vet Serbia, sidomos që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jakshiq, nga Partia Demokratike e Serbisë, parti kjo opozitare në Serbi, i ka quajtur kontradiktore deklaratat e kryetares së Kuvendit të Serbisë, përfshirë këtu edhe demantin e saj.

Ajo që është e çuditshme lidhur me këtë, është se deklarata e saj e mëhershme ka potencuar se shpallja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është, para së gjithash, vendim politik e jo kushtetues. Në këtë rast, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, ose e respekton Kushtetutën e shtetit të Serbisë ose jo. Sidoqoftë, pas deklaratave të saj kontradiktore, personalisht mendoj se ajo nuk do t’i shpallë zgjedhjet lokale në Kosovë. Nuk do t’i shpallë për shkak se Bashkimi Evropian po i bën presion Serbisë se nuk do ta merr statusin e kandidatit nëse i shpallë zgjedhjet lokale në Kosovë”, tha Jakshqi.

Ai ka shtuar se presion ndaj Serbisë po e pason kërkesën e mëhershme të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila sipas tij, ka kërkuar që të shuhen institucionet shtetit serb në hapësirën e Kosovës.

Mosshpallja eventuale e zgjedhjeve serbe në Kosovë, thekson Jakshiq, do të nënkuptohet si heqje dorë e Serbisë nga Kosova.

Me këtë, shteti Serb, përkatësisht qeveria e tanishme, po tregon se po heq dorë nga Kosova, por këtë nuk guxon dhe nuk mundet ta thotë hapur, për shkak të opinionit publik në Serbi, duke pasur parasysh që 75 për qind e qytetarëve të Serbisë ende janë për ruajtjen e Kosovës si pjesë e shtetit serb. Mendoj se vetëm këto janë arsyet pse pushteti i tanishëm po ngurron që ta pranojë zyrtarisht Kosovën, si shtet i veçantë”, tha Jakshiq.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë vazhdojnë t’i konsiderojnë ilegale strukturat dhe institucionet e shtetit serb, të cilat ende janë duke funksionuar në veriun e vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG