Ndërlidhjet

Kriza e Eurozonës me ndikim edhe te fqinjët

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Kriza në Eurozonë po vendos një tagër të rëndë edhe për fqinjët e Bashkimit Evropian. Në tremujorin e fundit të vitit 2011, ata kanë shënuar rënie të neto-kapitalit, për herë të parë që nga 2009-ta. Më të goditura janë vendet në zhvillim - ato në jug dhe në lindje të Evropës.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parasheh që norma e rritjes në këto pjesë të kontinentit të jetë një për qind këtë vit - çfarë është më poshtë se niveli i vitit të kaluar.

Drejtori i hulumtimeve në institucionin financiar, Xheromin Zetëllmajër, shpjegon më shumë:

Ndikimi më i keq i krizës së Eurozonës, presim të jetë në Evropën Juglindore. Arsye e kësaj është se këto vende janë të integruara shumë në Eurozonë, përmes kanaleve tregtare dhe financiare. Andaj, në këtë rajon tani shohim kushte më të shtrënguara financiare”.

Në Ballkan, shumë vende janë prekur nga Greqia, si ekonomia më e afërt e Eurozonës. Me Greqinë në epiqendër të zonës 17-anëtarëshe, ata duhet të presin se ndihma e BE-së për Athinën do të kufizojë dhimbjen e tyre.

Më në përgjithësi, të gjithë partnerët tregtarë të Eurozonës janë duke vuajtur, pasi vetë norma e rritjes në Eurozonë ka pësuar tkurrje, duke reduktuar oreksin e saj për importe. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parasheh që rritja në zonën e euros këtë vit të sillet nga zero në një negativë të lehtë.

Zetëllmajër thotë se edhe fqinjët më të largët, si Ukraina, do t’i ndjejnë efektet. Institucioni financiar parasheh që rritja e Ukrainës të bie nga 5 për qind, sa ishte vitin e kaluar, në 2.5 për qind gjatë 2012-ës.

Ukraina ka mjaft eksporte në Bashkimin Evropian. Ajo po ashtu ka një prani bukur të madhe të bankave të BE-së në sistemin bankar. Përveç këtyre janë edhe trashëgimitë e krizës së mëparshme ekonomike, të cilat e vënë në një pozicion të pambrojtur nëse gjërat kthehen në të keq”, thotë Zetëllmajër.

Në Kaukaz, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parasheh që vendi më i goditur të jetë Gjeorgjia, e cila rritjen e saj e mbështet shumë në investimet direkte të Perëndimit.

Armenia pritet t’ia kalojë më mirë. Ekonomia e saj varet kryesisht nga remitencat e punëtorëve jashtë vendit - shumica në Rusi - si dhe nga ndihma e huaj.

Vetëm Azerbajxhani, i pasur me naftë dhe gaz, ka të ngjarë të mos përjetojë asnjë efekt të euro-krizës, ndonëse ekspertët e Bankës Evropiane thonë se rritja e tij do të ngadalësohet për shkak të problemeve që lidhen me industrinë e energjisë në Baku.

Në mesin e shqetësimeve për krizën në Eurozonë, megjithatë ekzistojnë disa fqinj, të cilët do të vazhdojnë të rriten mesatarisht apo edhe fuqishëm.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se Rusia, gjatë 2012-ës, do të ketë rritje 4.2 për qind, përderisa përqindja e rritjes ekonomike në Azinë Qendrore do të kapë shifrën 7.

Në të dyja rastet, rritja do të nxitet nga kërkesat për artikuj, veçanërisht për energji.

Për aq kohë sa ekonomia globale vazhdon të rritet në nivelet aktuale, kërkesat për energji nuk pritet të zvogëlohen mjaft, sa për t’i vënë eksportuesit e energjisë në vështirësi.(v.t.)
XS
SM
MD
LG