Ndërlidhjet

Bisedimet vazhdojnë, ende s'ka marrëveshje


Edita Tahiri, Borko Stefanoviq

Edita Tahiri, Borko Stefanoviq

Ka vazhduar edhe në orët e pasdites raundi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, ndërsa palët ende nuk kanë arritur marrëveshje për temat që po diskutohen: bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Burimet në Bruksel thonë se palët kanë afruar qëndrimet, por ende nuk ka marrëveshje të plotë.

Disa diplomaët thonë se konsultimet nuk po zhvillohen vetëm në Bruksel, por edhe mes Prishtinës dhe kryeqyteteve evropiane sikurse edhe mes Beogradit dhe kryeqyteteve evropiane.

Ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar, thuhet se ende nuk është arritur pajtimi për formulimin e fusnotës, me të cilën do të paraqitej Kosova në nismat rajonale.

Thuhet se po shqyrtohen shumë mundësi se si të formulohet ajo, por e sigurt është se do të ketë referenca në Rezolutën 12 44 dhe në mendimin këshilldhënës te Gjykatës Ndërkomëbatre të Drejtësisë.

Ndryshe edhe sot shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, iu ka shmangur gazetarëve, duke hyrë në ndërtesë, jo nga dera kryesore, nëpër të cilën hyjnë delegacionet, por përmes një hyrjeje tjetër.

Ndërkohë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviq, ka thënë se Serbia do të “bëjë çmos që të arrihet marrëveshja për bashkëpunimin rajonal”, por gjithnjë duke respektuar "Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe interesat kombëtare serbe.”

Ai ka thënë se edhe në ditën e djeshme pala serbe ka qenë më konstruktive, por sipas tij, pala kosovare ka këmbëngulur në disa çështje të papranueshme për Serbinë.

Ndryshe, në Bruksel, raportohet për intensifikim të konsultimeve për t’i dhënë Serbisë statusin e kandidatit.

Disa shtete, si Franca, Italia dhe Austria kanë kërkuar nga shtetet tjera që t’i japin Serbisë statusin e kandidatit, me qëllim që të rikonfirmohet vazhdimi i procesit të zgjerimit.

Marrëveshja për bashkëpunim rajonal, përkatësisht mënyra se si Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale, ka qenë një ndër pikat më të nxehta të këtij raundi të dialogut, meqë nga arritja e kësaj marrëveshjeje dhe zbatimi i atyre të deritashme, varet edhe kandidatura e Serbisë.

Qysh para nisjes së delegacionit kosovar në Bruksel, ka qenë e diskutueshme çështja e fusnotës, që do të përdoret për ta përfaqësuar Kosovën në nismat rajonale.

Pala kosovare është pajtuar që të shkojë me formulën e përmendjes së Rezolutës 12 44, Deklaratës së GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë.

Por, Beogradi zyrtar, ndërsa pajtohet me dy të parat, hedh poshtë përmendjen e Deklaratës së Pavarësisë në fusnotë.

Ka qenë mospajtimi për bashkëpunimin rajonal, ai që ka bërë që bisedimet të ndërpriten në fund të vitit të kaluar.

Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së ka filluar në marsin e vitit të kaluar, gjatë të cilit janë arritur disa marrëveshje, por ende lë për të dëshiruar zbatimi i tyre.
XS
SM
MD
LG