Ndërlidhjet

Rumania mund të bllokojë kandidaturën serbe


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Rumania është e vendosur të pengojë Serbinë nga marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, nëse Beogradi nuk ndërmerr masa konkrete për të përmirësuar pozitën e pakicës vllahe, shkruajnë mediat serbe.

Autoritetet e larta serbe thuhet ta kenë marrë lajmin nga kanalet diplomatike në Bukuresht.

“Rumunët kanë paralajmëruar bllokimin e kandidaturës për shkak të çështjes vllahe”, citon “Danas” zyrtarët në Beograd, të cilët kanë thënë se do të nisin urgjentisht bisedimet me Rumaninë.

Dhjetorin e kaluar, Komisioni Evropian ka shtyrë vendimin për kandidaturën e Serbisë, duke i kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Rumania është njëri nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë pranuar ende shtetësinë kosovare. Së bashku me të radhiten Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja.

KE-ja do ta shqyrtojë sërish aplikimin e Serbisë, muajin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG