Ndërlidhjet

Vazhdon dialogu


Pamje nga raundet e mëparshme...

Pamje nga raundet e mëparshme...

Në Bruksel vazhdon sot, për të tretën ditë me radhë, raundi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi dita e djeshme është përmbyllur me ndërprerjen e takimit kah mesnata.

Burimet e Bashkimit Evropian shprehin optimizëm se gjatë ditës së sotme do të arrihet marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.

Më pak pozitiv është shprehur shefi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, ndërkohë që kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, nuk është prononcuar fare për mediat.

Kreu i ekipit serb e ka përshkruar situatën e djeshme si të rëndë, duke thënë se Prishtina shpesh ka mbajtur qëndrime joreale.

Burimet e Bashkimit Evropian kanë pohuar se në rast të arritjes së marrëveshjeve, gjasat e Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në këtë mekanizëm, janë të sigurta.

E pashpërblyer nuk pritet të mbetet as Kosova, pasi, sipas burimeve, Komisioni Evropian mund të dalë me një parashikim që të nisë përpilimin e një studimi të fizibilitetit, për procesin e stabilizim-asociimit edhe me shtetin kosovar.

Gjatë orëve në vijim, palët pritet të fokusohen sërish rreth fusnotës për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Tashmë është e sigurt se në fusnotën në fjalë do të përfshihet Rezoluta 1244 – çfarë ishte edhe kërkesë e Serbisë – si dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mbetet e pasigurt nëse në të do të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

Ky raund i dialogut vjen pas disa muajsh ndërprerje, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Autoritetet kosovare kanë këmbëngulur në përfaqësimin e tyre si shtet, përderisa ato serbe kanë insistuar në Rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës është pajtuar që poshtë emrit të Kosovës në forumet rajonale të figurojë fusnota që përfshin edhe 1244-shin.
XS
SM
MD
LG