Ndërlidhjet

Economist: Bisedimet - garë diplomatike


Ilustrim
Ilustrim
"The Economist"

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të sponsorizuara nga Bashkimi Evropian, janë një “garë diplomatike”, ka thënë një diplomat i BE-së. Është folur shumë për rinisjen e tyre këtë javë. Nëse dy palët bëjnë marrëveshje, fati i tyre do të përmirësohej ndjeshëm.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur katër vjet më parë, dhe kundërshton pjesëmarrjen e saj në forumet ndërkombëtare, përderisa nuk shoqërohet nga OKB-ja, organizata që ka administruar Kosovën pas luftës së vitit 1999.

Kjo është bërë pengesë për bashkëpunimin rajonal, pasi Qeveria e Kosovës refuzon prezencën e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se tani është e pavarur.

Të dyja palët janë dakord që Kosova të përfaqësohet me fusnotë nën emrin e saj.

Arritja e marrëveshjes për të lejuar përfaqësimin në organizimet rajonale, është kusht për Serbinë që të shpërblehet me statusin e kandidatit evropian nga ministrat e jashtëm të BE-së, javën e ardhshme në Bruksel.

Ky është një çmim i vlefshëm. I njëjti do të nënkuptonte se pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, do t’i shmangnin kundërshtimet ndaj BE-së që kanë të bëjnë me të.

Një gjë e tillë do të bënte që Kosova të niste marshimin drejt anëtarësimit.

Rezultati i këtyre bisedimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në politikat serbe. Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale në Serbi do të mbahen më 6 maj.

Sondazhet tregojnë se Partia e Progresit, që thuhet të jetë rritur nga një parti nacionaliste por që tani i takon qendrës së djathtë, do të fitojë 30 për qind të votave, kundrejt Partisë Demokratike në pushtet, për të cilën parashihen 24 për qind e votave. Megjithatë, është herët për t’u parashikuar rezultatet.

Kosova do të jetë faktor i madh. Më 14 dhe 15 shkurt, serbët në veri kanë organizuar referendumin që nuk kishte të bënte fare me vendin e dominuar me shqiptarë; 99.74 për qind e votave në favor, nuk ishin befasi. Më e rëndësishme është se serbët e Kosovës e kanë organizuar atë, pa dëshirën e Tadiqit.

Tani, ai përballet me dilema. Referendumi është organizuar nga katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kërkuar shpërbërjen e strukturave shtetërore serbe në Kosovë.

Nëse Serbia merr statusin e kandidatit evropian, një gjë e tillë mund t’i përjashtonte zgjedhjet lokale serbe në veri të Kosovës. Nëse jo, Tadiqi mund t’i lejojë votimet edhe atje.

Edhe nëse Serbia e merr statusin, kjo do të kishte më pak ndikim brenda, sesa që mund të ketë pasur në të kaluarën. Serbët tani brengosen më shumë për ekonominë dhe vendet e punës. Papunësia – katër vjet më parë në 13.6 për qind – nëntorin e kaluar ka arritur në 23.7 për qind.

Në Serbi tani ka zhgënjim, ndërsa mund të bëhet edhe më keq. Ivana Priça, ekonomiste në Universitetin e Beogradit, thotë se nëse nuk ka ndryshime, Serbia është në rrugën e falimentimit ose në atë të Greqisë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG