Ndërlidhjet

BE planifikon sanksione për Sirinë


Pamje nga dhuna në Homs
Pamje nga dhuna në Homs
Diplomatët e Bashkimit Evropian kanë emëruar shtatë ministra të Sirisë që do të jenë në shënjestër të sanksioneve të BE-së, për shkak të goditjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve.

Ngrirja e aseteve dhe ndalesat në udhëtime do të bëhen për ministrat e shëndetësisë, arsimit, çështjeve presidenciale, komunikimit dhe teknologjisë, industrisë, naftës dhe burimeve minerale dhe transportit.

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet që të hënën e ardhshme të miratojnë sanksione që do të godasin edhe bankën qendrore, si dhe tregtinë me ar dhe metale të çmuara.

Detajet janë bërë të ditura në konferencën e ashtuquajtur “Miqtë e Sirisë”, e cila po zhvillon punimet në Tunis.

Rusia dhe Kina kanë refuzuar të marrin pjesë në takim, duke theksuar edhe më shumë vështirësitë për ndërtimin e një konsensusi ndërkombëtar për krizën në Siri.

Moska dhe Pekini po ashtu u kanë vënë veto rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënojnë dhunën në shtetin sirian.

Në Konferencën e Tunisit pritet të bëhet thirrje edhe për njohjen e Këshillit Kombëtar të Sirisë si përfaqësues legjitim të këtij vendi.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se konferenca e së premtes do të ketë qëllim krijimin e progresit në tre frone: sigurimin e ndihmave humanitare, rritjen e presionit ndaj regjimit të Asadit dhe përgatitjen për tranzicionin demokratik.

“Do të diskutojmë për një gamë të mundësive, nga sanksionet më të fuqishme deri te rritja e ndihmës humanitare për opozitën, e cila do të përfaqësohet në Tunis, në përpjekje për të përfaqësuar të gjithë sirianët”, ka thënë Klinton.

Protestat anti-qeveritare në Siri kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe, disa mijëra njerëz kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG