Ndërlidhjet

Kosova në sfidat e sigurisë globale


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë ushtrimeve (foto arkiv)
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë ushtrimeve (foto arkiv)
Politikë-bërja është elementi kryesor për zhvillimin e sigurisë në çdo shtet, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës, u tha të premten në një konferencë shkencore ndërkombëtare, të quajtur “Kosova në kuadrin e sfidave globale të sigurisë”.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bejtush Gashi, tha se zhvillimi kombëtar ekonomik, social, arsimor apo përmirësimet politike, konsiderohen si komponent qendror i sigurisë së shtetit.

Gashi tha se në shekullin XXI siguria më nuk mund të identifikohet me fuqi ushtarake, ndërsa përdorimi i forcës, sipas tij, nuk është monopol i shtetit.

Megjithatë, Gashi përmend kërcënimet potenciale të sigurisë së një vendi.

“Kërcënimet, me të cilat përballemi sot janë; armët e shkatërrimit në masë, që mbeten prioritet dhe rrezik që mund të përdorin terroristët, terrorizimi kibernetik, pastaj armët biologjike dhe potenciali i tyre për t’u përdorur, armët e shkatërrimit në masë në miniaturë, si dhe krimi i organizuar dhe aktivitetet tjera me karakter ndërkombëtar”, tha Gashi.

Ai thekson nevojën e hartimit të një strategjie të sigurisë kombëtare edhe në Kosovë.

“Në këtë proces, zhvillimi i kapaciteteve të institucioneve të sigurisë, me theks të veçantë në Kosovë, siç është Policia, Forca e Sigurisë, Agjencia e Inteligjencës dhe akterët tjerë, si ndërlidhja e kapaciteteve, do të ndikojnë që të hartojmë një strategji adekuate të sigurisë kombëtare”, thekson Gashi.

Ndërkaq, Kudusi Lama, gjeneral në Shqipëri, njëherësh dekan i Fakultetit të Emergjencave në Kolegjin Universitar Biznesi, tha se elementi i parë i sigurisë është politikë-bërja e një shteti.

Sipas tij, një vend që nuk ka siguri kombëtare, nuk mund të ketë investim në sigurinë rajonale apo globale.

“Politika duhet të jetë mision dhe profesion për të gjithë ata që e përdorin. Dhe, pa e ngritur politikën në nivelin e misionit dhe profesionit, nuk mund të arrijmë në ato nivele që t’i transmetojnë siguri, popullit, atdheut dhe kombit. Nuk mund të jemi seriozë për t’u përballur edhe me politikat që krijojnë fqinjët apo shtetet tjera në rajon dhe më gjerë për të ardhur në përfundime të partneritetit me shtyllë të fuqishme kurrizore”, shpjegon Lame.

Në anën tjetër, Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë se Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, tha:

“Për dallim nga e kaluara, kur shumë vende kanë krijuar sigurinë duke qenë të forta brenda vetë vetes, për të mos lejuar ndërhyrje, tashmë kemi një siguri globale, e cila është e orientuar, për atë kemi edhe angazhime të fuqive, që përcaktojnë strategjinë botërore të sigurisë dhe ndikojnë në relacionet ndërkombëtare të krijimit të sigurisë”.

Sipas panelistëve në këtë konferencë, nëse një shtet nuk siguron dhe nuk prodhon siguri, ai shtet pavarësisht madhësisë gjeografike, kthehet në problem, jo vetëm për veten, por për gjithë kombin dhe shtet tjera.

Konferenca “Kosova në kuadrin e sfidave globale të sigurisë”, u organizua nga Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri në Prishtinë në bashkëpunim më Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Tiranë.
XS
SM
MD
LG