Ndërlidhjet

VV: Republika e Kosovës po privatizohet


Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fusnotën me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet dhe nismat rajonale, lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur si tejet të dëmshme.

Sipas liderit të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, marrëveshja e sotme i "ka hequr vendit tonë nocionin Republikë", ndërkaq që mospërfshirja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në fusnotë "e bën të papranueshme atë, për institucionet e vendit dhe popullin e Kosovës".

Kurti ka theksuar se marrëveshja për fusnotën nuk ka të bëj vetëm me përfaqësimin, por edhe me bashkëpunimin rajonal dhe si rrjedhojë, siç ka thënë ai, në këtë formë Republika e Kosovës privatizohet.

“Pra, Republika e Kosovës, kësisoji, privatizohet. Atë mund t’ia shfaqim vetes sonë, por jo edhe të tjerëve. Qëndrimi personal i kryeministrit aktual, pa diskutim të Qeverisë dhe pa vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u shndërrua në marrëveshje me Serbinë", ka thënë Kurti në takim me gazetarët në Prishtinë.

Ndryshe, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se ditën e hënë, më 27 shkurt, do ta organizojnë një protestë demonstratë paqësore, përmes së cilës, siç kanë thënë, do ta bllokojnë për 4 orë punën e Qeverisë së Kosovës, e cila, sipas tyre, "po e pezullon shtetin dhe pavarësinë e Kosovës".
XS
SM
MD
LG