Ndërlidhjet

logo-print

Kërcënohet ministri, braktis Bosnjën


Qytetarët duke protestuar kundër dorëheqjes së Ministrit të Arsimit në Kantonin e Sarajevës, Emir Suljagiq.

Qytetarët duke protestuar kundër dorëheqjes së Ministrit të Arsimit në Kantonin e Sarajevës, Emir Suljagiq.

“Lëre Allahun dhe fenë e tij rehat, ose dora e besimtarit do të të arrijë ty”.

Ky është mesazhi i shoqëruar me një plumb, që Emir Suljagiq ka marrë në një pliko të vendosur në kutinë postare të tij, në fillim të këtij muaji.

Shumë shpejt pas këtij rasti ai dha dorëheqje nga posti i ministrit të Arsimit në Kantonin e Sarajevës. Ai që nga atëherë braktisi vendin dhe iku në Austri, për shkaqe sigurie.

Suljagiq është një i mbijetuar i masakrës së Srebrenicës, në të cilën 8 mijë meshkuj myslimanë u vranë nga paramilitarët serbë. Por, së fundi ai iu nënshtrua një presioni të radikalëve myslimanë boshnjakë, për shkak të një vendimi që mori në vitin e kaluar, që notat e marra në lëndën zgjedhore fetare të mos llogariteshin në mesataren finale vjetore.

Ai tha se vendimi kishte për qëllim që të ofronte korrektësi për fëmijët që nuk zgjedhin të marrin pjesë në lëndët fetare, të cilat janë opsionale në shkollat boshnjake.

Por, kjo shkaktoi stuhi dhe kritika të ashpra nga klerikët islamikë, përfshirë edhe Myfti Mustafa Çeriqin, liderin e komunitetit mysliman të Bosnjës.

Çeriq mbrojti qëndrimin e tij duke thënë se po qe se serbët ortodoksë dhe kroatët katolikë zhvillojnë mësim fetar, pse nuk do të duhej këtë ta bënin edhe myslimanët.

“Është detyrë e ministrit që të ofrojë edukim fetar për fëmijët tjerë, ky nuk është obligim imi. Në fund të fundit, prindërit në sondazhe kanë bërë të ditur se e duan një gjë të tillë. Por, pse nuk shkoni në Banjallukë (ku banon shumica serbe) dhe t’i pyesni ata pse ju duhet edukimi fetar?! Pse duhet të krishterohen boshnjakët myslimanë?! Shkoni në Mostar dhe pyesni (kroatët) se pse ju duhet mësimi katolik?! Për ju vetëm islami është problem, vetëm të drejtat e myslimanëve janë problematike. Nuk po na lejoni që t’i rrisim fëmijët tanë ashtu siç dëshirojmë ne, edhe pse mbi ne u krye gjenocid. Keni ardhur për të biseduar për këtë çështje me paragjykime”, tha në një intervistë për shërbimin qendror të Radios Evropa e Lirë, Çeriq.

Suljagiq fillimisht kishte dhënë dorëheqje në muajin maj, pasi që Çeriq u kishte kërkuar myslimanëve që të dilnin në rrugë kundër ministrit, në atë që ai e quajti një “pranverë të Sarajevës”.

Suljagiq e pati tërhequr dorëheqjen pas insistimit të partisë së tij, Partisë Social-Demokrate.

Dënimi dhe kërcënimet publike kanë vazhduar, përfshirë një email që e kërcënonte atë dhe familjen e tij me mallkim fetar 100-vjeçar. Pas marrjes së letrës me një plumb në këtë muaj, ai vendosi se gjithçka kishte arritur kulmin.

Në një deklaratë ku paraqiste dorëheqjen, Suljagiq akuzoi zyrtarët fetarë, të cilëve, nuk ua përmendi emrin, si dhe mediat lokale se po nxisnin “linçim publik”.

Nermin Nikshiq, kryeministër i Federatës Boshnjako-Kroate dhe lider i Partisë Social-Demokrate tha se është e “turpshme” që një zyrtar publik detyrohet të japë dorëheqje për shkak të kërcënimeve.

Megjithatë, kjo parti nuk ndërmori hapa tjerë në mbrojtjen e Suljagiqit.

Por, që kur braktisi vendin, mbështetja publike për Suljagiqin është rritur. Qindra njerëz, shumica nga ta mësues, u mblodhën në Sarajevë më 16 shkurt. Disa kritikuan Çeriqin për rolin e tij në skandal.

Një nga akademikët që mori pjesë në tubim, profesori Saudin Sivro, tha se si lider i komunitetit islamik boshnjak, Mustafa Çeriq, e ka për obligim që të distancohet publikisht nga kërcënimet kundër Suljagiqit.

“Unë dua të them se nuk do të bëhemi skllevër dhe unë i frikësohem vetëm Zotit. Edhe Çeriqi duhet ta ketë frikë Zotin. Pyeteni atë nëse i frikësohet Zotit. Nëse po, atëherë ai duhet të dënojë letrat kërcënuese me plumba kundër secilit qytetar, qoftë ai ministri Suljagiq, Saudin Sivro apo dikush tjetër”, tha Sivro.

Rizo Turkoviq, një mësues, kritikoi autoritetet se nuk kanë ndërmarrë veprime, ndërsa lavdëroi punën e Suljagiqit si ministër.

“Nuk jemi të interesuar në politikë, ne jemi të interesuar për jetët tona. Ne e dënojmë dhunën dhe shantazhin në emër të qytetarëve. Ne shprehim mbështetjen tonë për ministrin dhe dënojmë faktin se ai nuk është lejuar që të kryejë punën e tij, sepse ai është zyrtar kompetent, që ia ka dalë të arrijë më shumë në një vit dhe të zbatojë reformat, sesa të gjithë ministrat e mëhershëm të arsimit në këtë kanton”, theksoi Turkoviq.

Skandali i Suljagiqit erdhi pasi që liderët myslimanë, serbë dhe kroatë përfundimisht ia dolën që të formojnë qeverinë më 10 shkurt dhe t’i japin fund ngërçit 16 mujor politik që bëri vendin të ngecë që pas zgjedhjeve të tetorit të 2010-s.

Qeveria e re qendrore e Bosnjës e udhëhequr nga Vjekosllav Bevanda duhet të bëjë përpjekje të mëdha në përmbushjen e kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe të aplikojë për anëtarësim në BE në fund të qershorit.(a.i.)
XS
SM
MD
LG