Ndërlidhjet

Funksionimi me ushtrues detyre


Ilustrim
Ilustrim
Katër zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Hajrullah Fejza, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, Zenel Kuçi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit të prokurimit dhe Bekim Fusha, drejtor i Departamentit farmaceutik, janë arrestuar në janarin e këtij viti.

Por, si po funksionon Ministria e Shëndetësisë pa udhëheqës të këtyre departamenteve? Luan Jaha, nga radhët e opozitës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, anëtar i Departamentit për shëndetësi, thotë se Ministria e Shëndetësisë është duke u marrë me vetveten më shumë sesa me çështje të sistemit shëndetësor.

”Ne po mendojmë se kapacitetet e Ministrisë në mungesë të sekretarit permanent, shefit të prokurimit, atij të sektorit farmaceutik, si dhe atij të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, janë të limituara. Ministria është më shumë duke u marrë me vetveten sesa që po merret me shëndetësinë. Nuk kanë mundësi të merren me probleme, janë duke u marrë me vetveten duke u munduar ta bëjnë funksionale ministrinë pa katër zyrtarë të lartë të saj”, thotë Jaha.

Ndërkaq, Faik Hoti, drejtor i Departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se institucioni në fjalë po funksionon mirë dhe pa ndonjë pengesë, pavarësisht arrestimit të katër zyrtarëve të lartë.

”Ministrisë së Shëndetësisë i është dashur të bëjë zgjidhje që nga janari prej kur katër pozita kanë mbetur vakante, dhe si strukturë është mobilizuar dhe janë caktuar personat përgjegjës që t’i bartin përgjegjësitë. Normalisht, po kryhen punët e zakonshme që janë të parapara me ligje dhe obligime të punës. Çdo lëvizje i ka ato vështirësitë e veta, por mund të thuhet se ministria i ka konsoliduar këta resorë dhe do të vazhdojë planin vjetor të punës”, deklaron Hoti.

Kurse, Time Kadriaj, deputete, mendon se është bërë një praktikë e keqe, duke caktuar në pozita kyçe të institucioneve, ushtrues detyre.
Është bërë një praktikë e keqe, që postet kyçe, siç janë këto katër poste, të mbesin me ushtrues detyre.


”Është bërë një praktikë e keqe, që postet kyçe, siç janë këto katër poste, të mbesin me ushtrues detyre”, konsideron Kadriaj.

Por, deputetja Kadriaj thotë se deri tani nuk kanë pasur të raportuar ndonjë problem apo ngecje të punëve në Ministrinë e Shëndetësisë:

”Mendoj se punët dhe përgjegjësitë kryhen dhe janë të njëjta. Faktikisht, ne si Komision Parlamentar, nuk kemi pasur ndonjë qasje brenda ministrisë, që të dimë se si ka shkuar rrjedha e punës, por nuk kemi pasur të paraqitur ndonjë problem, prej atje”.

E, sa i përket përmirësimit të gjendjes në fushën e shëndetësisë, sipas Luan Jahës, me gjithë përpjekjet, nuk është përmirësuar fare.

”Gjendja e shëndetësisë kosovare nuk është përmirësuar, krahasuar me vitet paraprake. Në shumë sfera, ndryshimet nuk po vërehen dhe në terren nuk ka ndryshime, pavarësisht tentativave për përmirësim”, thekson Jaha.

Sidoqoftë, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pati deklaruar se dikasteri që ai udhëheq, do të vazhdojë me procesin e reformave brenda sistemit shëndetësor, pas arrestimit të katër zyrtarëve të lartë brenda kësaj ministrie.
XS
SM
MD
LG