Ndërlidhjet

Maqedoni: Politizimi i shoqërisë, nxit incidentet


Përveç në ndeshjet sportive, incidentet ndëretnike kanë filluar të paraqiten edhe në ambientet shkollore dhe jashtë tyre. Pas Strugës, tani në rrethinën e Shkupit janë regjistruar raste të sulmeve ndaj nxënësve shqiptarë nga persona të panjohur të komunitetit maqedonas.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se kanë shtuar praninë policore në vendet kritike, për t’i parandaluar rastet e këtilla pasi banorët lokalë kanë paralajmëruar se përsëritja e incidenteve mund të nxjerrë situatën nga kontrolli.

“Përveç masave represive, MPB-ja ka ndërmarrë edhe masa preventive. Inspektorët policorë të angazhuar për preventivë, vazhdimisht ndodhen në terren, u japin sugjerime dhe këshilla popullatës lokale në raport me parandalimin e akteve të padëshiruara, por ata shërbejnë edhe si lidhje mes popullatës dhe policisë, në rast se vërehen raste të dyshimta”, thotë Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Por, njohësit e zhvillimeve politike dhe të marrëdhënieve ndëretnike konsiderojnë se situata në terren është refleksion i tendosjeve politike, që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në raportet mes komuniteteve.

Ata thotë se rol më të madh në evitimin apo parandalimin e akteve të dhunës kanë pikërisht politikanët, nëse do të kishin kujdes në fjalorin dhe veprimtarinë e tyre për të mos tentuar të përfitojnë në kurriz të popullatës.

“Në Maqedoni raportet ndëretnike paraqesin një nga mjetet themelore në luftën ndërmjet subjekteve partiake dhe politike. Fatkeqësisht, kjo, në mënyrë automatike, reflektohet te të rinjtë, të cilët përsërisin në forma të ndryshme atë që ne më të moshuarit e bëjmë. Ne nuk mund t’i dënojmë ata, nuk mund t’i ndryshojmë ata, nëse ne nuk e ndryshojmë realitetin. Dhe derisa nuk e kuptojmë këtë rëndësi të raporteve ndëretnike, nuk duhet të presim as ndryshim në sjelljen e të rinjve ”, thotë Mirjana Najçevska, ligjëruese universitare dhe ish-kryetare e Komitit të Helsinkit.

Ngjashëm vlerëson edhe analisti Albert Musliu:

“Fatkeqësisht, kjo është ashtu. Nuk ka pasur ndonjë vullnet politik që këto tensione, këto probleme që po ndodhin, të zgjidhen nëpër institucione, të cilat ndaj tyre duhet të jenë neutrale. Pra, ligji të jetë gjithëpërfshirës dhe i njëjtë për të gjithë me qëllim që te popullata edhe veprimi i institucioneve të pranohet si diçka normale. Maqedonia e ka strukturën aq të brishtë saqë marrëdhëniet ndëretnike janë një prej faktorëve kryesorë që mund të destabilizojnë vendin dhe për shkak të kësaj, duhet të ketë një kujdes të veçantë dhe konstant ndaj zhvillimit të mirëfilltë të marrëdhënieve ndëretnike”, vlerëson analisti Albert Musliu.
XS
SM
MD
LG