Ndërlidhjet

VV nis mbledhjen e nënshkrimeve


Grafite me mbishkrimin "Kosova Republikë", të shkruara nga Lëvizja Vetëvendosje, në kundërshtim të marrëveshjeve për fusnotën.

Grafite me mbishkrimin "Kosova Republikë", të shkruara nga Lëvizja Vetëvendosje, në kundërshtim të marrëveshjeve për fusnotën.

Në mënyrë që të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 12 44 në fusnotë, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës për një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend.

Përfaqësuesit e këtij subjekti politik, pasi që nuk kanë marrë përkrahjen e duhur të partive të tjera opozitare për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, kanë deklaruar se me nënshkrimet e qytetarëve do të arrijnë që të mbajnë seancën.

Ata kanë thënë se në seancë do të paraqitet një mocion, me të cilin kundërshtohet fusnota. Dardan Sejdiu ka bërë të ditur se nënshkrimi i peticionit ka filluar në të gjitha komunat e Kosovës.

“Sot, në 28 qendrat ku kemi ne qendra dhe zyre, kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve dhe ky proces po ecën shumë shpejt dhe shumë mirë. Së bashku me këto 10 mijë nënshkrime Vetëvendosje do të paraqesë edhe kërkesën për futjen në rend të ditës në Kuvendin e Repulikës së Kosovës temën, për të cilën jemi duke folur”, ka thënë Sejdiu.

Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fusnotën, me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet dhe nismat rajonale, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si tejet të dëmshme.

Vetëvendosje këtë marrëveshje e sheh edhe si marrëveshje ndërkombëtare, e cila, sipas Sejdiut, duhet të vijë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

“Ky është një vendim personal i kryeministrit, nuk ka vendim të Qeverisë. Kryeministri i Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim dhe nuk mund të jetë vonë që të diskutohet në Kuvend. Kuvendi është ai që vendos për marrëveshje ndërkombëtare. Nëse Serbia është shtet fqinj, pra është marrëveshje ndërkombëtare edhe duhet të vijë në Kuvend”, është shprehur Sejdiu.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë së shtunës kanë përsëritur qëndrimin e tyre të dhënë një ditë më parë duke deklaruar se në këtë rrafsh dihet qëndrimi i tyre.

“Ju e keni marrë dje qëndrimin që është politik i LDK-së, e që nënkupton se është edhe qëndrim i Grupit Parlamentar të LDK-së. Qëndrim tjetër nuk kemi, ndërsa për zhvillimet tjera dhe rrethanat tjera, sigurisht se të hënën do të mblidhet edhe Grupi Parlamentar dhe kryesia e LDK-së dhe do të vazhdojmë më tutje”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, derisa është pyetur se a do ta përkrahin Vetëvendosjen për një seancë të jashtëzakonshme.

Kurse, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është shprehur qartë se ky subjekt politik nuk do të nënshkruajë kërkesën e Vetëvendosjes për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Ne dëshirojmë që të marrim veprime, të cilat e tejkalojnë këtë situatë dhe i zbehin dëmet që janë shkaktuar nga kjo fusnotë


“Si Aleancë, ne nuk duam që të prodhojmë vetëm një debat, i cili do të debatonte rreth çështjes së fundit të fusnotës. Ne dëshirojmë që të marrim veprime, të cilat e tejkalojnë këtë situatë dhe i zbehin dëmet që janë shkaktuar nga kjo fusnotë”.

“Një debat që vetëm do të diskutonte dhe do të çimentonte me një votim këtë fusnotë, do të ishte në dëm të Kosovës dhe si rrjedhojë, ne do ta përkrahim. Ne jemi parti shtet-formuese dhe nuk dalim në protestë, por do të bëjmë përpjekje që këtë Qeveri sa më shpejt ta çojmë në shtëpi, përmes zgjedhjeve të lira”, është shprehur Tahiri.

Sido që të jetë, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje për bashkëpunimin rajonal. Emri i Kosovës (Kosovo*) do të paraqitet me fusnotën, në të cilën thuhet se ky shënim është pa paragjykim për pozicionin mbi statusin dhe është në linjë me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe Mendimin e GJND-së mbi Deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ditën e hënë, më 27 shkurt, do të organizojë një demonstratë paqësore, siç e ka quajtur, gjithë-popullore. Me këtë demonstratë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se do ta bllokojnë për katër orë punën e Qeverisë së Kosovës, e cila, sipas tyre, po e pezullon shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG