Ndërlidhjet

Sa kushtojnë studimet?


Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë...
Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë...

Studimet në Universitetin e Prishtinës, janë shumë të shtrenjta dhe me probleme të ndryshme. Por, megjithatë, jeta studentore në kryeqytet është e bukur dhe e hareshme, thonë disa studentë. Ata e quajnë të shtrenjtë jetën studentore, pasi shumica, nuk punojnë dhe mjetet financiare për studime i sigurojnë nga familjet e tyre.

E, jeta më e shtrenjtë është për studentët që vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët janë të detyruar të banojnë apo të udhëtojnë në Prishtinë.



Studentët e rregullt në Universitetin e Prishtinës, paguajnë 50 euro për semestër, ndërkaq ata me korrespondencë paguajnë 250 euro. Ndërkaq, sipas studentëve, për një muaj ata shpenzojnë mbi 300 euro, duke përfshirë këtu, qiranë, ushqimin, literaturën dhe veshmbathjen.

Ibrahim Veseli, nga komuna e Lipjanit, është student në Fakultetin e Edukimit. Ai udhëton çdo ditë për t’i dëgjuar ligjëratat. Nevojat dhe shpenzimet për studime janë të shumta, thotë Ibrahimi, për të shtuar se për të gjitha këto kujdesen vëllezërit e tij.

“Është e vështirë, pasi kushtet nuk janë të mira. Unë, financiarisht, varem nga dy vëllezërit e mi. Ata punojnë dhe më paguajnë semestrin, rrugën dhe shpenzimet tjera. E mira do të ishte që të punoja vetë dhe obligimet e mia t’i mbuloja vetë. Por, punë nuk ka...”, thotë studenti Ibrahim Veseli.

Blerta Nivokazi, nga Gjakova, thotë se investimet për studime janë të mëdha. Ajo jeton në një banesë me qira. Blerta thotë se prindërit e saj janë të detyruar të paguajnë mbi 200 euro në muaj vetëm për studime.

Universiteti i Prishtinës
Universiteti i Prishtinës
“Qiraja e shtrenjtë, ngrohje nuk ka, rryma vjen shumë shtrenjtë dhe shpenzimet tjera që vijnë. Do të thotë i shpenzoj 50 euro në javë, kështu që në muaj nevojiten 200 euro. Nuk është lehtë, sa herë që të shkoj te babi dhe mami, kërkoj para, dhe ata të më japin. Por, shpresoj se në të ardhmen do t’i shpërblej prindërit”, tregon Blerta.

Edhe Tea Dojaka, jeton në një banesë me qira. Megjithatë, Tea thotë se mundohet t’i kursejë paratë e huazuara nga prindërit, por nevojat e shumta për studime pamundësojnë një gjë të tillë.

“Mundohem të kursej, që ta kaloj edhe vikendin në Gjakovë me ato të holla. Por, nganjëherë po ka më tepër shpenzime. Nuk po na mbesin dhe po duhet prapë të kërkojmë para. Literatura nuk është e shtrenjtë, sepse librat po i fotokopjojmë dhe janë më lirë”, thekson Tea.

Florent Tahiri, është student më korrespodencë në vitin e katërt në Fakultetin Juridik. Vetëm vitin akademk ai duhet ta paguajë 500 euro. Dhe, për të gjitha shpenzimet e tij, kujdesen anëtarët e familjes.

“Jeta në Prishtinë është shumë e shtrenjtë. Unë çuditem me faktin se në çdo vend të botës, ka subvencione apo lirime për studentët, ndërsa në Kosovë, vetëm shikojnë a je student dhe i ngritin çmimet në çdo artikull, çfarëdo qoftë ai. Mua më financojnë familja. Për një muaj nëse shikojmë një mesatare më nevojiten 300-350, por varet edhe nga shpenzimet”, shprehet Florenti.

E, si kalojnë studentët që janë nga Prishtina? Krenar Sllovinja, nga Prishtina, tregon:

“Ata që udhëtojnë, kanë shpenzime më shumë, sepse ne që jemi në Prishtinë e kemi më lehtë. Unë për literaturë dhe shpenzime tjera, harxhoj deri në 300 euro në vit”.

Kurse, Tafil Sheqa, student nga Podujeva, me keqardhje pohon se të gjitha shpenzimet e nevojshme për studime, i financon vëllai i tij, që jeton dhe punon në Gjermani.

“Më financon vëllai nga Gjermania. Unë mundohem të kursej sa mundem. Të kisha një vend pune dhe t’i kisha paratë e mia, do të ishte më e lehtë, por në këtë mënyrë më vret ndërgjegjja”, thotë Tafili.

Por, pavarësisht kushteve të vështira financiare, jeta studentore është e bukur, thotë Granit Tahiri, nga Mitrovica:

“Është shumë e mirë, unë kam menduar se bukur është vetëm në shkollën e mesme, por edhe në fakultet po kalojmë shumë mirë. Po, mësojmë, po dalim dhe po kënaqemi...”.

Ndërkaq, Florent Tahiri, thekson:

“Jeta studentore, pavarësisht kushteve të vështira është shumë e mirë. Nuk jam penduar që jam student dhe nuk e kisha ndërruar me asgjë jetën studentore”.
XS
SM
MD
LG