Ndërlidhjet

Me bashkëpunim drejt IPA-fondeve


Ilustrim
Ilustrim
Vetëm përmes bashkëpunimit dhe qasjes së përbashkët Maqedonia dhe Kosova mund t’i shfrytëzojnë me kapacitet maksimal IPA-fondet, kanë konstatuar kryetarët e odave ekonomike të të dyja vendeve fqinje.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Shkup, ka propozuar dhe formimin e një trupi të posaçëm në suaza të dy qeverive, i cili do t'i koordinojë aktivitetet për investimet në infrastrukturë dhe energjetikë.

“Pse jo, një formë e tillë apo model mos të ndodh ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, përmes aplikimit në mënyrë të përbashkët, si në infrastrukturë, ashtu dhe në energjetikë. Dihet se dalja nga kriza eventuale në Evropë, do t’u hapë rrugë investimeve të huaja në rajon”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Gërxhaliu.

Ndërkohë, homologu i tij maqedonas, Branko Azevski, ka deklaruar se ndërmjet dy shteteve fqinje nuk ka kurrfarë barrierash dhe se duhet të përforcohet dialogu, ngase vetëm përmes tij mund të gjenden forma më të larta të bashkëpunimit.

“Dihet se Bashkimi Evropian insiston dhe njëherësh stimulon projektet rajonale, andaj dhe ne kërkojmë që të formohet një trup i specializuar, i cili kryesisht do të detektojë dhe realizojë të gjitha ato lëmi ku mund të konkurrojnë vendet e rajonit bashkërisht, me theks të veçantë në energjetikë dhe infrastrukturë. Në këtë drejtim, edhe para investitorëve të huaj do të paraqitemi bashkërisht, ngase kapacitetet e vendeve tona, si shtete të ndara, nuk janë atraktive për gjigantët ekonomikë botërorë”, ka deklaruar Azevski.

Ndërkaq, kryetarët e komunave kanë vlerësuar se bashkëpunimet ndërkufitare janë mënyra e vetme për të përfituar fonde evropiane.

Përmes bashkëpunimit ndërkufitar thyhen barrierat ndërkufitare mes vendeve të rajonit, është shprehur kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, duke shtuar se bashkëpunimi Maqedoni-Shqipëri tahsmë ka rezultuar me hapa konkret. Ndërkohë, pritet të intensifikohet bashkëpunimi edhe me Kosovën.

"Ky bashkëpunim në struktura të gjera, jep mundësi për qasje më të madhe në fondet e IPA-s, ku bashkëpunimet ndërkufitare kanë përparësi. Kjo i hap rrugë bashkëpunimit të domosdoshëm të Maqedonisë edhe me Shqipërinë dhe Kosovën”.

”Konkretisht me Shqipërinë kemi tri projekte, një e kemi me Bashkinë e Elbasanit dhe dy me atë të Korçës, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkufitar dhe zhvillimin e turizmit në malin e Sharit. Mendoj dhe besoj se edhe me këtë shtet, meqë Kosova nga ky vit ka të drejtë të aplikojë në fondet e këtilla, do të kemi bashkëpunim në këtë drejtim”,
është shprehur Bexheti.

Nga ana tjetër, Maqedonia edhe këtë vit angazhohet në promovimin e zonave ekonomike, me ç`rast Qeveria ofron lehtësi për kompanitë e huaja që të mund të investojnë kapitalin e tyre në Maqedoni. Por, ekspertët kanë vlerësuar se investimet e huaja do të varen nga reflektimi i krizës ekonomike në eurozonë

“Vështirë se mund të priten çfarëdo investimesh, meqë kriza financiare evropiane do të ketë reflektim edhe në ekonominë e Maqedonisë, së paku në 2-3 vjetët e ardhshëm. Andaj, është më se i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit që për momentin shihet si imput i vetëm për zhvillimin e ekonomisë ”, ka vlerësuar Vladimir Gligorov, nga Instituti Ekonomik i Vjenës.
XS
SM
MD
LG