Ndërlidhjet

Observer: Arabia Saudite i diskriminon sportistet


Veshje sportive me shami...

Veshje sportive me shami...

"Observer"

Arabia Saudite është akuzuar për shkelje të frymës së Lëvizjes Olimpike duke i diskriminuar femrat sportiste dhe për shkak të dështimit që ekipi i femrave i këtij vendi, të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Londër këtë vit.

Tisa Xhauell, ish-sekretare e kulturës në Britani dhe ministre e Olimpiadës, që tash është edhe anëtare e Bordit Olimpik, tha se sauditët “qartas e kishin shkelur frymën e përkushtimit të Kartës Olimpike për barazi”, me qasjen e tyre ndaj femrave në sport dhe në Lojëra.

Qeveria saudite, që i kishte mbyllur sallat sportive për femra në vitin 2009 dhe 2010, dhe në mënyrë të vrazhdë e kishte kufizuar aftësinë e tyre për të ndërmarrë aktivitete fizike, është nën presion ndërkombëtar në rritje për të miratuar një qasje më liberale.

Këto komente, zonja Xhauell i bëri pas publikimit të raportit të organizatës Human Rights Watch, në të cilin paraqitet mënyra se si grave dhe vajzave u mohohet e drejta për sport.

Në këtë raport shkruan se pavarësisht premtimeve për hapjen e më tepër mundësive sportive për femra, “qeveria saudite vazhdon që në mënyrë flagrante t’u mohojë grave dhe vajzave të drejtën e tyre për edukatë fizike në shkolla dhe për rekreacion dhe sport garues në mënyrë më të përgjithshme”.

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik e rezervon një numër të kufizuar të vendeve për femra dhe meshkuj, të cilët nuk janë të obliguar t’i arrijnë standardet kualifikuese në disiplinat e notit dhe në atletikë.

Megjithatë, pavarësisht kësaj mundësie, Arabia Saudite kurrë nuk e ka sponsorizuar ndonjë ekip femëror, ndërsa Komiteti Kombëtar Olimpik i këtij vendi, nuk e ka seksionin e femrave.

Tisa Xhauell nuk tha se sauditët duhet të përjashtohen nga lojërat e sivjetme apo ato të ardhme, nëse ata nuk e përmirësojnë situatën e femrave sportiste. Por, ajo kërkoi nga ta që të demonstrojnë përkushtim për ndryshim, duke theksuar se Afganistanit i ishte ndaluar pjesëmarrja në Olimpiadën në Sidnej në vitin 2000, për shkak të qasjes ndaj femrave nën pushtetin taliban.

“Lojërat Olimpike në Londër do të ishin mundësi e përkryer për sauditët që të paraqesin lëvizje përpara”, tha zonja Xhauell, dhe shtoi se do të dëshironte të shihte “një plan të qartë për përfshirje të barabartë të femrave me kohë për lojërat në Rio de Zhaneiro në vitin 2016”. Sipas saj, ky do të ishte përkushtim substancial.

Barbara Kili, anëtare e Parlamentit britanik nga Partia Laburiste, e cila ka punuar në mënyrë intensive për promovimin e sportit femëror, tha se sportistet kishin luftuar për më tepër se 100 vjet, për të marrë pjesë në Olimpiadë nën kushte të barabarta me meshkujt.

“Ka ardhur koha që të bëjmë thirrje për ndalje të diskriminimit kundër femrave në ngjarjet olimpike”, tha ajo dhe shtoi se: “duket krejtësisht e papranueshme për secilin vend, që bën gara në Lojërat Olimpike, që të lejohet të ketë ekip që tërësisht është i përbërë nga meshkujt”.

Një zëdhënës i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar tha se në këtë çështje është arritur një lloj progresi.

Sipas tij, “Komiteti Ndërkombëtar Olimpik nuk jep ultimatume ose afate, por beson se me dialog mund të arrihen shumë gjëra”.

Në këtë kuadër, ai theksoi se “në kontaktet e rregullta me tri Komitete Olimpike Kombëtare, që ende duhet të dërgojnë sportiste në Olimpiadë, siç janë për shembull, Katari, Brunei dhe Arabia Saudite, është arritur që në Lojërat Olimpike Rinore, në Singapor, verën e kaluar, të marrin pjesë femrat”.

Sipas këtij zëdhënësi, Dalma Ruzhdi Malas, nga Arabia Saudite, ishte sportistja e parë që mori pjesë në një garë olimpike dhe fitoi medaljen e bronztë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG