Ndërlidhjet

Obama “s’do të duhej” t'i kërkonte falje Afganistanit


Protestat që ka shkaktuar djegia e Kuranit në Afganistan.
Protestat që ka shkaktuar djegia e Kuranit në Afganistan.
Tre nga katër kandidatët republikanë, të cilët kanë mbetur në garë për presidencën amerikane, kanë thënë se presidenti Barak Obama nuk do të duhej të kërkonte falje për incidentin e djegies së Kuranit në Afganistan.

Duke folur për Fox News, Mit Romni ka thënë se, marrë parasysh numrin e ushtarakëve amerikanë që kanë humbur jetën në Afganistan, ashtu si edhe shpenzimet, “kërkim-falja është diçka shumë e vështirë për t’u pranuar nga populli amerikan”.

Njut Gingriç ka thënë se procesi “i njëanshëm” i kërkim-faljes ka shkuar shumë larg, ndërkohë që “nuk ka ndonjë kërkesë për ndjesë nga ana e presidentit (afgan) Karzai”.

Rik Santorum ka qenë më i fuqishëm në komentet e tij për CNN duke thënë se “protestat dhe dhuna kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan, që pasuan lajmet për djegien e Kuranit, kanë qenë krimi i vërtetë dhe jo ajo që kanë bërë ushtarët tanë”.

Ditë më parë, presidenti amerikan ka kërkuar falje për djegien e Kuranit, që ka ndodhur në një bazë ushtarake të SHBA-së në Afganistan. Obama ka thënë se “incidenti nuk ka qenë i qëllimshëm”.
XS
SM
MD
LG