Ndërlidhjet

logo-print

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka refuzuar të thërrasë seancë të jashtëzakonshme mbi bazën e peticionit të Lëvizjes Vetëvendosje që mbështetet në mbledhjen e 15 mijë nënshkrimeve të qytetarëve.

Seanca planifikohej të thirrej për të kundërshtuar përfshirjen e fusnotës tek emri i Kosovës gjatë prezantimit të saj në nismat rajonale, në bazë të marrëveshjes së arritur me Serbinë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se në bazë të Kushtetutës thirrjen e seancave të jashtëzakonshme mund ta kërkojnë presidenti, kryeministri dhe 40 deputet përmes nënshkrimeve të mbledhura dhe jo qytetarët.

Ndërkaq lidhur me marrëveshjen e arritur për fusnotën, Krasniqi tha se interpretimin kushtetues të arritjes së marrëveshjes mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Ne e kemi një institucion të pavarur i cili e ka të drejtën të interpretoj i fundit vendimet apo ligjet që merren në kundërshtim me Kushtetutën dhe kjo është Gjykata Kushtetuese. Ju e dini që këto marrëveshje deri më tani nuk e kanë pasur as emrin marrëveshje, por konkluzione. Ne nuk e kemi një dokument ku përcaktohet se këto janë marrëveshje”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vetëm ka konfirmuar se kryesia i ka refuzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme mbi bazën e 15 mijë nënshkrimeve të mbledhura.

Ndërkaq, dy subjektet tjera opozitare, LDK dhe AAK u kanë ikur deklaratave para medieve.

Ditët e fundit, këto dy parti politike janë kritikuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar për shkak të qëndrimeve të tyre kundër fusnotës në emrin e Kosovës.

Analisti i çështjeve politike dhe kushtetuese Mazllum Baraliu thotë se edhe po të thirrej seanca e jashtëzakonshme ajo nuk do të prodhonte ndonjë rezultat marrë parasysh faktin se në Kuvend shumicën e ka koalicioni qeverisës.

Koalicioni qeverisës e ka shumicën e votave dhe deputetëve në Kuvend andaj edhe mund të votojë ashtu si mendon shumica, dhe kjo do të mund të ishte kontinuitet i qëndrimit që ka pasur qeveria në bisedat që i ka pasur në Bruksel dhe marrëveshjes që e ka arritur”, tha Baraliu.

Në bazë të sjelljeve të opozitës në Kuvend, Baraliu mendon po ashtu se këto parti opozitare nuk janë të koordinuara, madje edhe atëherë kur trajtojnë çështje që i tejkalojnë interesat e ngushta të partive politike.

Unë e kam një përshtypje që fatkeqësisht opozita është e shkapërderdhur, nuk është e organizuar dhe nuk është e konsoliduar, e madje shpesh herë edhe për çështje jashtëzakonisht vitale për të cilat është dashur që të tejkalohen orientimet partiake apo platformat partiake të subjekteve të caktuara politike, thjeshtë opozita te ne nuk është e konsoliduar, nuk është e organizuar mirë”, vlerëson Baraliu.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se qëndrimi i tij për marrëveshjen e arritur për fusnotën është po ai që kishte deklaruar edhe më herët kur i kishte bërë thirrje qeverisë që të mos ngutet me marrëveshje që më pas mund të prodhojnë efekte e prapaskena politike.

Unë kam kërkuar që qeveria mos të ngutej në përfundimin e kësaj marrëveshjeje duke menduar se arritja e kohezionit politik mes subjekteve politike do të ishte më e favorshme edhe për qeverinë edhe për institucionet e Kosovës”, tha Krasniqi.

Ndryshe, marrëveshja e fundit apo kompromisi me Serbinë për fusnotën me të cilën Kosova prezantohet në nisma rajonale me Rezolutën 12 44 si dhe me mendimin e GJND-së për ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë, është përshëndetur nga bashkësia ndërkombëtare, përfshi Uashingtonin dhe Brukselin, përderisa në Kosovë, përveç partive në pushtet, ajo është konsideruar e dëmshme dhe kthim prapa.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG