Ndërlidhjet

Veriu me peticion për zgjedhje lokale


Zgjedhjet në veri/foto nga arkivi
Zgjedhjet në veri/foto nga arkivi
Çështja e shpalljes ose jo të zgjedhjeve lokale serbe edhe në Kosovë, po vazhdon të ngjallë reagime edhe me tutje te politikanët serbë të Kosovës.

Ditë më parë, disa zyrtarë të Beogradit, kanë deklaruar se në rastin e shpalljes së zgjedhjeve lokale në Serbi, autoritetet serbe, sa i përket Kosovës, do të kenë parasysh edhe obligimet që dalin nga dokumentet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por, politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Millan Ivanoviq, drejtues i këshillit Kombëtar Serb, thotë për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet serbe nuk duhet të lejojnë hapësirë që të krijohen dilemat nëse zgjedhjet lokale do të shpallen edhe për serbët që jetojnë në Kosovë, e veçanërisht për ata në veri të vendit.

Sipas tij, edhe më parë, Serbia ka organizuar zgjedhje në Kosovë, duke u bazuar, sipas tij, në Rezolutën 12 44, por ai ka shfaqur drojën se Serbia do t’i nënshtrohet, siç i quan ai, presioneve nga jashtë, që zgjedhjet lokale të mos i shpallë edhe për Kosovën.

Mendoj se zgjedhjet do të bëhen me siguri. Por, megjithatë, serbët në Kosovë, për çdo rast, në mënyrë preventive, janë duke mbledhur nënshkrime dhe deri më tash kanë nënshkruar dhjetëra mijëra serb, si peticion, në mënyrë që të drejtat tona kushtetuese dhe ligjore të realizohen. Kjo po bëhet që askujt të mos i shkoj ndërmend që të na largojë nga ky proces legjitim dhe të na mohohen drejtat themelore, si dhe të na dëbojnë nga shteti ynë”, thotë Ivanoviq.

Politikani tjetër serb, Dragisha Kërstoviq, nga Leposaviqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë mediat serbe kanë ngritur, siç e quan ai, “pluhur”, lidhur me çështjen e shpalljes ose jo të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.

Sipas tij, disa zyrtarë të Beogradit kanë theksuar se rezoluta 12 44 është ripërtërirë me marrëveshjen e fundit në Bruksel dhe se zgjedhjet lokale do të organizohen edhe në Kosovë, në mënyrë që të respektohet kushtetuta serbe. Por, Kërstoviq nuk beson se kjo do të ndodhë.

Unë mendoj se në këtë moment kjo është vetëm një lloj i retorikës dhe se kjo nuk do të ndodhë. Mendoj se në prag të shpalljes së zgjedhjeve, lidhur me këtë problem do të arrihet deri te një marrëveshje në planin ndërkombëtar dhe se zgjedhjet lokale nuk do të shpallen edhe për Kosovë”, shprehet Kërstoviq.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe.

Megjithatë, ajo thotë se është pikëpyetje se kush dhe çfarë do t’i zëvendësojë institucionet serbe në veri të Kosovës, deri në zgjedhjet lokale të cilat i organizojnë institucionet e Kosovës.

Unë më shumë mendoj se cili është kapaciteti institucional, i cili do të duhet t’i pranojë institucionet, se sa që mendoj për atë se a do t’i shpallë zgjedhjet lokale Serbia për Kosovë ose jo, sepse mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Megjithatë, gjithmonë është më mirë që të kemi çfarëdo institucione se sa të mos ketë fare. Për këtë shkak, mendoj se ndoshta do t’iu vazhdohet mandati atyre që janë tani në veri, deri sa të arrihet ndonjë marrëveshje për zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës ose, duhet të gjendet ndonjë zgjidhje e ndërmjetme”, shprehet Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Millan Ivanoviq, vlerëson se nëse Serbia nuk do t’i shpallë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë, kjo, sipas tij, do të nënkuptonte se ajo e pranon pavarësinë e këtij vendi.

Kjo do të nënkuptonte pranim i pavarësisë së shtetit të Kosovës nga ana e udhëheqësisë serbe, ndërkohë që ata vazhdimisht po e përsërisin se kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës”, thekson Ivanoviq.

Por, Dragisha Kërstoviq, shpreh mendimin se do të gjendet një zgjidhje e përkohshme me faktorin ndërkombëtar dhe se në mungesë të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të instalohen institucione ose këshilla të përkohshëm.

Ndërkohë, sipas tij, Prishtina zyrtare, në mënyrë të heshtur do ta pranonte një marrëveshje të tillë.

Me siguri se ato do të jenë disa subjekte, me të cilat Prishtina do të ketë komunikim”, thotë Kërstoviq.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq, thekson se duhet gjetur një qasje të barabartë ndaj serbëve në gjithë territorin e Kosovës.

Nuk ka veri dhe jug, por, thjeshtë, të gjithë serbët duhet të jenë të barabartë. Lidhur me këtë, unë pres që zgjedhjet lokale do të mbahen në gjithë territorin e Kosovës dhe sipas sistemit të Kosovës”, shprehet ajo.

Sidoqoftë, ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i autoriteteve serbe lidhur me shpalljen e zgjedhjeve lokale, por, ato kanë deklaruar se për shpalljen ose jo të këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë, do të sillet një vendim politik nga vet autoritetet serbe.
XS
SM
MD
LG