Ndërlidhjet

logo-print

Përse e shpëtoi Sllovenia manjatin bjellorus?!

  • RFE /RL

Kompania “Triple”

Kompania “Triple”

Bashkimi Evropian ka rënë dakord që të shtojë edhe 21 individë bjellorusë në listën e tij të zezë, në përgjigje të shtypjes së vazhdueshme që Minsku i bën opozitës, shoqërisë civile dhe mediave.

Por, kundërshtimi i patundur i Sllovenisë ka shpëtuar personin e 22-të, oligarkun bjellorus Juri Çiz, nga ndalesa në udhëtime dhe ngrirja e aseteve.

Lubjana ka kërcënuar javën e kaluar se do t’i vërë veto listës, me sa duket për shkak të përfshirjes së Çizit.

Manjati 48-vjeçar mban kontrollin mbi kompanitë e energjisë, të ndërtimit, mbi pasuritë e patundshme, farmaceutikë dhe sektorë të tjerë dhe është financier i presidentit autoritar të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko.

Qëndrimi i Lubjanës, i cili ka zemëruar disa zyrtarë të BE-së, duket të jetë nxitur nga interesat ekonomikë, sidomos për shkak të kontratës që disponon një kompani sllovene për ndërtimin e një hoteli në Bjellorusi.

Në dekretin presidencial, të lëshuar më 11 maj të vitit 2010, Lukashenko i ka dhënë kompanisë “Elite Estate” të drejtat e zhvillimit të një pjese të tokës në Minsk, për të cilën mediat në Bjellorusi kanë raportuar se është degë e kompanisë së Çizit “Triple”.

Kompanisë “Elite Estate” mësohet t’i jetë dhënë e drejta për punë ndërtimore pa ndonjë ankand. E njëjta thuhet se nuk është detyruar as për pagesën e shpenzimeve të zakonshme për dokumentet e marrëveshjes.

Projekti, i konceptuar për të pritur Kampionatin Botëror të Hokejit më 2014, përfshin një hapësirë prej 23,000 metrash katrorë. Në total, plani është vlerësuar të kushtojë më shumë se 100 milionë euro.

Firma sllovene e ndërtimit “Riko Group”, më 20 shkurt, ka bërë të ditur se “Elite Estate” i ka dhënë kontratën për të ndërtuar hotelin dhe kompleksin përreth.

Bazuar në faqen e saj të internetit, kompania “Riko” ka qenë aktive në Bjellorusi për një dekadë të tërë. Në shkurt të 2011-ës, ajo ka bërë publike marrëveshjen prej 54 milionë eurosh me kompaninë shtetërore të energjisë “Minskenergo” për ndërtimin e dy stacioneve të energjisë.

Janez Shkrabec, kreu ekzekutiv i Riko-s, kishte ftuar Lukanshenon për një ski-udhëtim në vitin 2004, në kohën kur udhëheqësit bjellorus i ishte vënë ndalesa e udhëtimit nga BE-ja, ndërkohë që Sllovenia pritej t’i bashkohej bllokut brenda muajsh.

Më 27 shkurt, ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec, tha se vendi i tij “nuk mund të pajtohet me faktin se vetëm një biznesmen është përfshirë në listë”.

Mediat lokale citojnë zyrën e tij të ketë thënë se “Sllovenia mbështet masat kufizuese që ka vënë Bashkimi Evropian kundër Bjellorusisë dhe atyre që shkelin të drejtat e njeriut, duke parandaluar zhvillimin e demokracisë dhe të shoqërisë civile”.

Por, në deklaratën dërguar shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë, kompania Riko thotë se “Sllovenia ka marrë pozicionin e saj për të mos penguar ose dobësuar marrëdhëniet dypalëshe ekonomike me partnerët nga Bjellorusia”.

Në përgjigje të veprimit të Lubjanës, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosllav Sikorski, u ka dhënë këtë deklaratë gazetarëve në Bruksel:

Kjo është një ditë e trishtuar për Bashkimin Evropian. Ajo tregon se interesat ekonomikë të disa shteteve po bëhen më të rëndësishëm se nevoja për të ndikuar në fuqinë e presidentit Lukashenko, për lirimin e të burgosurve politikë”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG